Gjyqi më fëmijët e Berishës, avokati: Tahiri të mos fshihet pas deklaratave politike

Nga Dinejda
Shkruar ne 10 Maj 2012 ora 12:10pm

TIRANË -Deputeti socialist Saimir Tahiri është përpjekur me të gjitha mënyrat t’i shmanget përballjes me ligjin. Kjo u deklarua nga Sokol Barci, përfaqësuesi ligjor i Argita Malltezit dhe Shkëlzen Berishës, dy fëmijët e kryeministrit Berisha, të cilët kanë paditur për shpifje deputetin socialist Saimir Tahiri.

Në një deklarate për mediat të mërkurën, lidhur me procesin ndaj deputetit Tahiri, avokati Barçi deklaron se, “pasi është përpjekur me të gjitha mënyrat t’i shmanget përballjes me ligjin për të provuar shpifjet e veta, pasi ka gënjyer gjykatën duke thënë se nuk mund të paraqitej në seancat gjyqësore me pretendimin se ndodhej jashtë vendit ndërkohë që me prova të pakundërshtueshme provohet që atë ditë ai ndodhej në Shqipëri, ai zgjodhi sërisht të gënjej opinionin duke pretenduar se gjyqi është shtyrë nga pamundësia e gjykatës për të njoftuar paditësit Argita Malltezi e Shkëlzen Berisha sepse nuk posedon adresat e tyre”. 

“Kjo është tentativa e rradhës e deputetit Tahiri për ti ikur procesit të ndershëm ligjor pasi në procesverbalin e sotëm të mbajtur mbi seancën gjyqësore dhe të publikuar në faqen e internetit të gjykatës, tregohen se kërkesa e z.Tahiri është rrëzuar për arsyet thelbësore ligjore. E ftojmë z. Tahiri të mos fshihet pas deklaratave politike dhe imunitetit të deputetëve, por të përballet me të vërtetën dhe faktet siç kërkohet nga çdo qytetar që respekton ligjin dhe shtetin e së drejtës, deklaroi avokati Barçi.

Në përfundim të seancës së djeshme, deputeti socialist, Saimir Tahiri tha se “gjykata nuk lejoi thirrjen e dëshmitarëve me argumentin se nuk ka adresat. “Unë kërkova në gjykatë dhe mora kohë që këto prova t’i kërkoj vetë dhe institucioneve shqiptare do t’ia kërkoj zyrtarisht vetë këto prova, duke synuar që në këtë proces gjyqësor të bëjë ç’është e mundur të bëhet drejtësi dhe të mos lejojë në asnjë mënyrë që gjykata të bëhet instrument në dorën e pushtetit të Sali Berishës dhe fëmijëve të tij”, u shpreh ai.