Google ndjek praktika të pandershme

Nga Dinejda
Shkruar ne 31 Maj 2012 ora 5:54pm

TIRANE-Operatori i makinës së kërkimit Google akuzohet se me praktika jo të ndershme, se u ha hakun konkurrentëve dhe se nuk mbron mjaftueshëm të drejtën e autorit. Specialistët´kërkojnë që firma të bëjë të mundur njohjen me punën.

Në diskutimin rreth të drejtës së autorit gjiganti i internetit Google gjendet vazhdimisht nën kritikë. Tani, koncerni do të dokumentojë publikisht se në ç’masë i përkrah zotëruesit e të drejtave, artistët, autorët dhe të tjerët në ndjekjen e shkeljeve të copyright-it dhe si e lufton piraterinë në internet. Google akuzohet edhe se përdor agjencitë e lajmeve, pa i përfshirë ato në fitimin nga të ardhurat prej reklamave. Këto dy akuza kanë të bëjnë me të drejtën e autorit, por u përkasin pjesëve shumë të ndryshme. 

Lufta kundër piraterisë në internet

Për shkak të shkeljeve të mundshme të së drejtës së autorit, vitin e kaluar Google ka shuar në më shumë se pesë milionë raste përmbajtje, faqe dhe adresa interneti nga ofertat e tij të ndryshme. Koncerni i internetit tërhoqi vëmendjen te ky fakt në fund të majit në një publikim blogu. Sipas informacionit, Google përpunon mesatarisht 1,2 milionë kërkesa në muaj, për të nxjerrë offline përmbajtje për arsye të shkeljes së mundshme të copyright-it. Kësisoj operatori i makinës së kërkimit reagon ndaj akuzave të shumta, se nuk ndërmerr sa duhet kundër kopjimit ilegal të përmbajtjes në internet.

Ndihmës, jo keqbërës

Në lidhje me mundësitë ilegale të kopjimit Google nuk është kurrë keqbërës, po vetëm bashkëfajtor. Avokati nga Këlni Christian Solmecke, specialist për të drejtë mediatike dhe autoriale thekson në bisedë me Deutsche Welle-n: “Parimisht është kështu që Google vetë nuk kryen shkelje të së drejtës së autorit, po vetëm krijon qasje në shkelje të mundshme të ligjit.” Kjo do të thotë se nëpërmjet Google-it mund të gjehen platforma interneti, përmes të cilave është i mundur kopjimi i paligjshëm i muzikës, i teksteve ose i videove.

Një formë tjetër faqesh interneti “të këqija” janë sipas Solmeckes për shembull portale me përmbajtje naziste. Google është këtu i rëndësishëm para së gjithash për personat që nuk e njohin zonën e aktiviteteve të tilla. Kur është gjetur njëherë faqja me përmbajtje radikale të djathtë, atëherë mund të kapërcehet më tej në material ideologjik apo edhe në informacione mbi ndërtimin e bombave. Kur Google-i e shuan link-un, atëherë mohohet hyrja te kjo faqe e parë pritjeje.