Grabitje me armë në Lushnje, plagoset 45-vjeçari

Nga Dinejda
Shkruar ne 23 Maj 2012 ora 11:19am

LUSHNJE - Dy vëllezër nga komuna e Krutjes në Lushnje janë bërë sot objekt i një grabitjeje me armë, nga persona ende të paidentifikuar.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit, ndërsa ka mbetur i plagosur Rasim Godina, një prej vellezërve të grabitur.

Burime nga policia e Fierit bëjnë të ditur se autorët e maskuar u kanë grabitur dy vellezërve 8 milionë lekë të vjetra, si edhe motorin me të cilin ata udhëtonin. 

Në momentin e grabitjes vellezërit Godina po ktheheshin për në shtëpi pasi kishin shitur disa gjedhë, ndërsa autorët i kishin zënë pritë dhe pas marrjes së parave kanë qëlluar me armë, duke plagosur në këmbë 45-vjeçarin, i cili u dërgua me urgjencë në spital.

Ndërkaq mësohet se policia po merr në pyetje dy vëllezërit, dëshmia e të cilëve do të hedhë dritë mbi ngjarjen.