Greqi, bazë falsifikimi në banesën e shqiptarëve, sekuestrohen 177 vula.

Nga Dinejda
Shkruar ne 01 Pri 2012 ora 1:06pm

ATHINE - Autoritetet greke zbuluan një bazë falsifikimi dokumentesh, në lagjen Akominat 3, në Athinë. Mësohet se baza e falsifikimit ishte ngritur në banesën e 3 shqiptarëve, që jetonin prej vitesh në shtetin grek.

Gjatë kontrollit në banesë, policia greke sekuestroi certifikata të paplotësuara të Bashkisë së Gjirokastrës, 177 vula të zyrave greke e shqiptare dhe dhjetëra dokumente false.

Sipas policisë, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar patenta ndërkombëtare, dëftesa pjekurie dokumente të ISSH-së Tiranë, pulla postare greke e shqiptare, pasaporta greke, shqiptare dhe letoneze, si dhe disa kartëmonedha false.

Aktualisht nuk ka të dhëna për identitetin e falsifikatorëve shqiptarë, të cilët nuk ndodheshin në banesë në momentin e operacionit policor. Autoritetet greke janë vënë në kërkim të tyre.