Greqi, sot ceremonia e Ndezjes së Flakës Olimpike

Nga Dorjan
Shkruar ne 10 Maj 2012 ora 2:53pm

OLIMPIA – Ideali i Olimpizmit do të ndriçojë përsëri të enjten, 10 maj, të gjithë Botën, në vendlindjen e Lojërave Olimpike, Olimpia e lashtë, ku do të bëhet ceremonia e ndezjes së Flakës Olimpike, e cila do të udhëtojë me destinacion përfundimtar Londrën, për festën e madhe të Lojrave Olimpike.

Ndezja e Flakës Olimpike do të bëhet, si cdo vit, në tempullin e Irës, nga Kryepriftëresha, e cila do të kërkojë ndihmën e Perëndisë së diellit, Apolloni, për të ndezur pishtarin. Kryepriftëreshë në ceremoninë e ndezjes së flakës olimpike do të jetë aktorja Ino Menegaqi. 

Ceremonia do të ndiqet nga Presidenti i Komitetit Ndërkombëtar Olimpik z. Jacques Rogge, Kryetari i Komitetit Organizativ të Lojërave Olimpike «Londër 2012», z. Sebastian Coe, zv/ministri britanik i Sporteve dhe i Lojrave Olimpike, Hugh Robertson dhe David Ladsman, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Greqi.

«Kryesuesit» e ceremonisë do të jenë Presidenti i Komitetit Olimpik Grek, Spiros Kapralos me Kryetarin e komitetit të Udhëtimit të Pishtarit Olimpik, Spiro Zanja dhe anëtarë të tjerë të asamblesë, anëtarë të Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, zyrtarë grekë dhe britanikë, anëtarë të pleniumit të Komitetit Olimpik grek dhe përfaqësues të Federatave të sportit.

Familja Mbretërore e Britanisë do të përfaqësohet javën e ardhshme (17 Maj, 19:00) në stadiumin Panathinaiko nga Princesha (Ana) Anne, në ceremoninë e dorëzimit të flakës olimpike organizatorëve.

Sot, nga duart e Kryepriftëreshës, flaka do ti dorëzohet Spiros Janjotit, kampion botëror i notit në det të hapur, i cili është duke u përgatitur për pjesëmarrjen e katërt radhazi në Lojërat Olimpike (2000, 2004, 2008, 2012).

Vrapuesi i parë në udhëtimin e Pishtarit, Spiros Janjotis do të përshkojë një distancë prej 250 metra dhe më pas flakën do të marrë vrapuesi i dytë i cili do të jetë i riu Aleksander Lukos, anglez me origjinë greke, që para 7 vjetëve ishte ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Singapor për rivendikimin e Lojrave Olimpike nga Londra. Do të ndjekë vrapimi me Pishtar për tetë ditë brënda Greqisë, i cili do të përfundojë më 17 maj, me mbërritjen e flakës në stadiumin Panathinaiko- Kalimarmaro, ku pasdite do t’i dorëzohet organizatorëve britanikë të Lojrave Olimpike të vitit 2012.

Më parë do jetë ndezur flaka në altarin e Stadiumit Panathinaiko-Kalimarmaro nga kampioni olimpik grek i peshëngritjes Pirro Dhima (1992, 1996, 2000, 2004) dhe kampioni olimpik kinez i gjimnastikës, Li Ning (1984), njeriu i cili ndezi flakën në altarin e stadiumit olimpik të Pekinit në vitin 2008 dhe pak më pas Flaka e Shënjtë Olimpike ti dorëzohet Presidentit të komitetit organizues lordit Sebastian Coe.

Flaka olimpike në Greqi dë të përshkojë rreth 3.000 kilometra do të kalojë nëpër më shumë se 43 qytete dhe në këtë udhëtim të saj do të marrin pjesë mbi 500 vrapues.

Flaka olimpike pas dorëzimit më 17 maj tek britanikët, një ditë më pas (18/5) do të cohet me një avion të posaçëm në bazën ushtarake, në Cornwall, nga ku do të fillojë faza e dytë të vrapimit me Pishtar.

Për 70 ditë, rreth 8.000 vrapues me Pishtar do të cojnë flakën nëpër territorin e Britanisë së Madhe para se ajo të arrijë në 27 korrik në stadiumin olimpik të Londrës për ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike. Atje do të mbetet e pashuar deri në ceremoninë e mbylljes më 12 gusht.