GRUAJA XHELOZE QËLLON ME SËPATË BURRIN PAS DHUNËS

Nga Dorjan
Shkruar ne 17 Pri 2012 ora 2:17pm

LEZHE – E dhunon i shoqi, gruaja hakmerret duke e qëlluar me sëpatë në gjumë. Ngjarja ndodhi mesnatën e djeshme në fshatin Rraboshtë të komunës Dajç të Lezhës, pas një debati mes bashkëshortëve Marsela Prendi 27 vjeçe dhe Arben Prendi 37 vjeç. Dyshohet se ky u fundit ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, çka më pas shkaktoi ngjarjen e rëndë, duke i rrezikuar jetën 37-vjeçarit. Burime të Policisë bënë të ditur se pas sherrit në familje, Marsela Prendi ka pritur derisa i shoqi është shtrirë për të fjetur dhe më pas ajo e ka qëlluar në sëpatë. Pas ngjarjes, ajo është larguar me fëmijët e saj, ndërsa Policia pak orë më vonë e arrestoi atë. Mësohet se 27-vjeçarja e ka pranuar krimin. Ajo ka pohuar se e kishte qëlluar të shoqin pasi ai e dhunonte pas konsumit të alkoolit dhe lojërave të fatit, por dyshonte edhe për tradhti bashkëshortore. Pas hetimeve të kryera, Policia bëri të ditur se mes çiftit Prendi kishte pasur konflikte të vazhdueshme prej shumë vitesh. “Mbrëmjen e së dielës, pasi ka vënë në gjumë dy fëmijët, 27-vjeçarja ka pritur të flejë edhe bashkëshorti i saj. Më pas, ajo e ka qëlluar në gjumë me sëpatë në kokë duke i shkaktuar plagë të rëndë”, bëri të ditur Policia. Pas ngjarjes, ajo ka marrë dy fëmijët e saj dhe është larguar për tek të afërmit. Ajo ka sinjalizuar Policinë e Lezhës për ngjarjen, e cila mbërriti menjëherë në vend dhe gjeti 37-vjeçarin të përgjakur në krevat. Blutë e nisën menjëherë në gjendje të rëndë në Spitalin e Lezhës. Por pas ndihmës së parë, mjekët e nisën me urgjencë në Spitalin Ushtarak, nga ku mësohet se ndodhet në rrezik për jetën. “Nuk duroja dot më dhunën sistematike të burrit”. Kështu mësonte të ketë deklaruar nëna e dy fëmijëve në polici pas arrestimit.