Grushte dhe kërcënime me armë mjekut, kapen 2 agresorët

Nga Dorjan
Shkruar ne 06 Pri 2012 ora 1:50pm

VLORË – Godasin me grushte dhe kërcënojnë me armë mjekun e urgjencës, përfundojnë në pranga dy agresorët. Mëngjesin e djeshëm, uniformat blu të Vlorës arrestuan 45-vjeçarin Irfan Dalipaj si dhe 25-vjeçarin Selim Nexhipi, pasi akuzohen për “goditje për shkak të detyrës”, “kanosje për shkak të detyrës, kryer në bashkëpunim” si dhe për “armëmbajtje pa leje”. Burime nga policia lokale pohojnë se ngjarja ndodhi gjatë orëve të natës në ambulancën qendrore të qytetit bregdetar.

Mësohet se, Dalipaj dhe Nexhipi janë paraqitur në ambulancë me një fëmijë 1 vjeç të sëmurë dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Ndërkohë, mjeku i urgjencës, Dori Aliaj u ka thënë dy personave në fjalë se vogëlushi nuk mund të trajtohej në urgjencë, por duhej të dërgohej në spitalin Pediatrik të qytetit. Fjalët e mjekut kanë rebeluar Irfan Dalipajn dhe Selim Nexhipin, të cilët e kanë fyer dhe më pas e kanë goditur atë me grushte. Jo vetëm kaq, por njëri prej dy agresorëve ka nxjerrë një armë gjahu që mbante me vete dhe ka kërcënuar mjekun Aliaj.
Pas debatit, fëmija është transportuar për në Spitalin Rajonal të Vlorës për të marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërkohë që mjeku i urgjencës ka njoftuar policinë për ngjarjen. Menjëherë blutë kanë shkuar në spitalin e Vlorës ku dhe kanë kapur në flagrancë dy autorët e ngjarjes. Gjatë marrjes në pyetje, 45-vjeçari Dalipaj dhe i riu Nexhipi kanë deklaruar se kanë goditur mjekun, pasi ai nuk ishte treguar i gatshëm për t’i dhënë ndihmë mjekësore fëmijës.

Nga ana tjetër mjeku ka pohuar se nuk mund të vizitonte të miturin dhe se ai sipas rregullores duhej të merrte ndihmë mjekësore në Pediatri.