Guralumi: Etno-folku shqiptar, shkrihet me muzikën xhaz

Nga Edmond Prifti
Shkruar ne 22 Pri 2011 ora 1:58pm

Një zë melodioz që këndon në gjuhën shqipe, në sfondin e shkrirë të një muzike xhaz. Është vokali i artistes zvicerane Morgane Gallay, e cila nën emrin “Guralumi – Albanian Jazz Project” ka interpretuar kolonën zanore të më se 30 pjesëve muzikore shqiptare, nën ritmet e kësaj muzike, e cila nga disa syresh është konsideruar si “muzika e shpirtit”.

Një risi e muzikës tradicionale shqiptare nëpër botë, është konsideruar gjetja e idesë dhe rikompozimi i tyre, pasi rryma muzikore që ata interpretojnë është vlerësuar pozitivisht nga kritika muzikore e disa shteteve të Evropës. Pak të njohur në Shqipëri, vokalistja Morgane është një prej ikonave të muzikës në vendlindjen e saj, Zvicër. Së bashku me të, grupit muzikor “Guralumi” i janë atashuar edhe tre instrumentistë të tjerë zviceranë, ndërsa themeluesit e këtij grupi muzikor që pati zanafillën zyrtare në vitin 2004, janë shqiptarët Gjon Guralumi dhe djaloshi nga Ferrizaj, Krenar Arifi. Në faqen e tyre zyrtare ata citojnë se, “Frymëzimi jonë e ka zanafillën nga tradita muzikore e Evropës Lindore, ku banda jonë muzikore interpreton energjitikisht folklorin me tema dhe ritme ballkanike. Janë këto ritme, që i japin ngjyra të gjalla muzikës moderne funk, jazz, rok apo electronic music”. Në fletëpalosjen e Festivalit “Balelec”, përpos prezantimit të tyre thuhet se “Guralumi është grupi shqiptar i mirënjohur i skenës zvicerane, në muzikën xhaz”. Por kudo krahas qindra artikujve, fletëpalosjeve apo koncerteve të realizuara përgjatë aktivitetit të tyre, përmendet edhe emri i Shqipërisë nën termin: “Albanian Jazz Project”. Një prej themeluesve të këtij grupi muzikor, i ndodhur në Shqipëri prej disa ditësh, Gjon Guralumi është shprehur për ATSH-në se, “koncerti i parë në duo, është realizuar së bashku me kitaristin Krenar Arifi në vitin 2002, ndërsa dy vite më pas do ti bashkoheshin grupit tonë edhe katër pjesëtarët e tjerë, zviceranë”. Për ngjizjen e parë me këtë muzikë dhe risinë që sollën për muzikën tradicionale në një shkrirje të xhaz-it, Guralumi është shprehur se “pikënisjen e kam pasur kur takova rastësisht Krenarin, një kitarist i cili jetonte në Lozanë të Zvicrës. I propozova atij që të risillnim një risi të muzikës tradicionale shqiptare në botë, duke i kthyer këngët tona nën ritme xhaz-it. Kompozimi i parë ishte “Te selvitë e Namazgjasë” e Nexhmie Pagarushës dhe më pas këngët si: “A kanë ujë ato burime”, “Shkoj e vij në fluturim si zogu”, “Qaj Maro” dhe deri te “Ccu bo mor jahu” – këngë, të cilën pata frymëzimin nga një miku im që nuk e nxirrte biçikletën jashtë në kohë shiu”, ka komentuar duke vënë buzën në gaz, Guralumi. “Sharmantja, lozonjarja dhe zëri i ëmbël i këngëtares zvicerane Morgane Gallay ju fton në një rrugëtim të këndshëm përmes këngëve, pjesa më e madhe e kënduar në gjuhën shqipe”, bëhet e ditur nga faqja e tyre zyrtare në virtual. I pyetur në lidhje me vështirësitë e kuptimit të këngës në shqip për një vokaliste të huaj, përpos asaj të një vije melodioze ku gjendet e shkrirë muzika tradicionale shqiptare me ritmet e xhazit, Gjon Guralumi është shprehur duke qeshur se, “…gati të gjithë pjesëtarët zviceranë të grupit kanë filluar të marrin kurse mësimi të gjuhës shqipe, për ti kuptuar dhe përthithur sa më mirë kuptimin origjinal të këngëve, madje edhe të atyre këngëve ku janë përdorur edhe terma dialektore”. Kompozimet muzikore, sipas Guralumit “në çdo koncert që grupi jonë interpreton, rikujtojmë këngëtaren ndërkombëtare Azira Mustafa nga Azerbaxhani; ajo e cila ashtu si edhe ne ka shkrirë folkun azer me muzikën xhaz”. Aktualisht sipas faqes së tyre zyrtare, në fund të tetorit 2009, pjesëtarët e formacionit muzikor “Guralumi” përmes “të deleguarit” të tyre Tiziano, po marrin pjesë në koncertin “Womex”, për promovimin e grupit muzikor në “biznesin botëror të muzikës”.

Formimi

Grupi “Guralumi” u formua zyrtarisht në fund të vitit 2004 nga Krenar Arifi dhe Gjon Guralumi, të cilët dy vite më parë kishin interpretuar së bashku në një duo kitarë-piano në “Jazz School ’n Contemporary Music” (EJMA-Zvicër). Në vitin 2004, iu bashkëngjitën edhe muzikantët zviceranë Xavier Good, Tiziano Tomasetti, Morgane Gallay dhe Lukas Knopfel. Ndër koncertet më të rëndësishme kanë qenë ato në Muzeun Historik të Lozanës në mbrëmjen letrare ku mori pjesë edhe vetë Ismail Kadare, Chorus, Festivalin Balelec, Festivalin e Xhaz-it Montreux, Sidewalk & Vinyl Club, Le Caveau de l’Hôtel de Ville, l’Usine à Gaz, Nyon; Festivalin Gena, Gjenevë, Festivalin e Xhazit në Bern, Dampfschiff à Brugg, etj. Për adhuruesit e xhazit të mirëfilltë, ky grup paraqet një risi të qëlluar aq më tepër kur kualitetet e mirënjohura të muzikës etno-ballkanike përpunohen në një mënyrë shumë të mirë me xhazin aktual, përshkruhet ndër të tjerash në faqen e tyre zyrtare: guralumi.ch. “Nga muzikaliteti, grupi artistik i përngjan kolonave zanore të filmave të Emir Kusturicës”, e ka përshkruar në komentin e saj një gazetë zvicerane këtë grup muzikor, ndërsa gazeta “24 Heurs” në një artikull të saj e ka vendosur titullin: “Martesa e muzikës shqiptare me muzikën xhaz”. “Guralumi” është në listën e referencës së grupeve muzikore të themeluar në Zvicër në stilin e muzikës Xhaz. Ata janë të mirënjohur gjithashtu edhe në komunitetin e shqiptarëve që jetojnë në Zvicër.

Faqja web e grupit: http://www.guralumi.ch