Hakerat grekë sulmojnë faqen e METE, vjedhin fjalëkalimet e zyrtarëve

Nga Dinejda
Shkruar ne 26 Pri 2012 ora 9:48am

TIRANE – Pas disa sulmeve sporadike të hakerave shqiptarë kundër faqeve të internetit në Greqi, homologët e tyre grekë i kanë kthyer përgjigje duke sulmuar vetëm pak ditë më parë faqen zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe duke publikuar të dhëna konfidenciale në lidhje me adresat e e-mail-it të punonjësve dhe ish-punonjësve. 

Edhe pse ky sulm është në vazhdën e përballjeve mes piratëve të internetit, fakti që është arritur të thyhen kodet e sigurisë së Ministrisë së Ekonomisë, mund të cilësohet dhe si një “spiunazh ekonomik”, i kryer nga ana e hakërave grekë. Sulmi në fjalë është marrë përsipër nga grupi i njohur si “Greek Hacking Scene”, të cilët ditën e hënë kanë deklaruar në faqen e tyre në rrjetin social, kryerjen me sukses të këtij sulmi si dhe kanë publikuar të dhënat e vjedhura nga ky sulm. “Greek Hacking Scene” janë përgjegjës dhe për disa sulme të ngjashme të kryera vite më parë, kur ata arritën të merrnin nën kontroll dhe faqen e Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë.
Më konkretisht, hakërat grekë kanë arritur të vjedhin username-t, password-et dhe adresat e e-mail-ve të së paku 8 prej punonjësve të kësaj ministrie.