Hakmarrja, vdiq në duart e nënës fëmija 9-vjecar në atentat

Nga Dinejda
Shkruar ne 06 Qer 2012 ora 11:35am

KURBIN -Një konflikt banal mes dy familjeve i ka marrë jetën një fëmije 9 vjeç, ndërsa është plagosur rëndë xhaxhai i tij. Hakmarrjes primitive i ka shpëtuar paq nëna e vogëlushit, e cila nuk është prekur nga breshëria e plumbave. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Lezhës pohojnë se ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:00 në Fushë – Mamurras. Mësohet se, 62-vjeçari Muharrem Llani nga fshati Shpërdhet i rrethit të Kurbinit ishte duke lëvizur me makinën e tij tip “Volkswagen” me targa AA 141 BF kur është qëlluar në pritë me breshëri kallashnikovi. Për pasojë është plagosur rëndë 9-vjeçari, i cili ndërroi jetë gjatë rrugës për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Gjithashtu, u plagos dhe xhaxhai i të miturit. Dhjetëra forca policore mbërritën në vendngjarje dhe kryen veprimet e para hetimore. Pas kryerjes së hetimeve paraprake dyshohet se autorët e krimit janë vëllezërit Altin dhe Ditmir Shkreta. Në orët e vona të mbrëmjes policia e Kurbinit arrestoi Ditmir Shkretën.
NGJARJA
Pasditen e djeshme tre pjesëtarë të familjes Llani ishin duke lëvizur me makinë nga Mamurrasi për në banesën e tyre në fshatin Shpërdhet. Pak metra larg vendit të quajtur “Ura e Drojes” (në afërsi të kthesës së Bushneshit), automjeti është qëlluar me breshëri automatike. Dy persona që kishin zënë pusi buzë rrugës kanë qëlluar nga ana e drejtuesit të autoveturës, Muharrem Llani, i cili ishte dhe shënjestra e atentatit. Plumbat kanë plagosur rëndë 62-vjeçarin dhe nipin e tij 9 vjeç që ndodhej në sediljen e parë të automjetit, në prehrin e nënës së tij. Atentatit i ka shpëtuar mrekullisht nëna e të miturit, e cila është terrorizuar nga skena makabre. Krismat e armës kanë alarmuar banorët e zonës, të cilët kanë sinjalizuar policinë për ngjarjen. Dy të plagosurit janë nisur urgjentisht për në drejtim të Spitalit Ushtarak të Tiranës, por 9-vjeçari I. Llani nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve. Ai ka ndërruar jetë gjatë rrugës, në duart e të ëmës.
HETIMI
Burimet nga policia lokale shprehen se dyshohet që vrasja ka ndodhur për hakmarrje. Pas marrjes së dëshmive të para, ka rezultuar se dy ditë më parë Muharrem Llani dhe vëllai i tij kanë rrahur barbarisht dy vëllezërit, Altin dhe Ditmir Shkreta. Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit të Mamurrasit. Fillimisht, vëllezërit Llani kanë debatuar ashpër me dy bashkëfshatarët e tyre që tregtojnë materiale ndërtimi me shumicë në Mamurras. Më pas sherri ka degjeneruar në përleshje mes palëve. Pikërisht kjo ngjarje ka bërë që blutë të dyshojnë se autorët e atentatit të djeshëm të jenë vëllezërit Shkreta.