Hap I Madh Drejt Shërimit Të Sëmundjeve Degjenerative Të Syrit

Nga Dorjan
Shkruar ne 29 Pri 2012 ora 5:11pm

Shkencëtarët britanikë nga University College London Institute of Ophthalmology kanë arritur që me transplantimin e fotoreceptorëve të ripërtërijnë shikimin e minjve të verbër laboratorikë.
Qelizat e fotoreceptorëve gjenden në retinë, ndërsa dritën e dukshme e shndërrojnë në sinjale elektrike të cilat përmes nervave optikë transmetohen deri te truri. Fotoreceptorët janë neuroni i parë i rrugës së shikimit.
Shkencëtarët kanë injektuar fotoreceptorët e minjve të rinj të shëndetshëm drejt në retinën e minjve të rritur të cilët kanë pasur verbërim të natës.
Qelizat e transplantuara kanë qenë fotoreceptorët e papjekur, dhe atë shkopinj, të cilët janë posaçërisht të rëndësishëm për shikimin në terr, sepse atyre u atribuohet shkalla e lartë e ndjeshmërisë në dritë dhe shikimi në terr (shikimi bardh e zi në muzg).
Pas katër deri gjashtë javësh, një, nga gjashtë qelizat e transplantuara ka arritur të krijojë lidhjet të cilat janë të nevojshme për transmetimin e informatave vizuale në tru.
Sipas mendimit të shkencëtarëve, ky sukses është hap i madh drejt mënyrave të reja të shërimit të të sëmurëve me sëmundje degjenerative të syrit.
Shkencëtarët po ashtu shpresojnë që së shpejti të mund të përsërisin këtë sukses me fotoreceptorët e dalë nga qelizat burimore embrionale dhe të mund t’i aplikojnë në testimet në njerëz.