Hemofilia, 280 raste në vend

Nga Dorjan
Shkruar ne 17 Apr 2012 ora 3:16pm

TIRANË– Në vendin tonë janë rreth 280 të sëmurë me hemofili, 240 hemofil A dhe 40 Hemofil B, ndërkohë që në Ditën Botërore të Hemofilisë, Ministria e Shëndetësisë ka siguruar për përpjekjet për trajtim të plotë të sëmundjes për të parandaluar mundesinë e invaliditetit që jep.

“Misioni ynë është përmirësimi i jetëgjatësisë dhe cilësisë të jetës së këtyre të pacientëve, nëpërmjet trajtimit të të sëmurëve me hemofili dhe familjeve te tyre nëpërmjet një mbikqyrje të vazhdueshme mjeksore dhe psikologjike”, tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë një konference për mediat në kuadër të kësaj dite botërore. 

Vasili tha se “në kuadër të strategjisë për reformimin e shërbimeve shëndetësore, MSH është plotesisht e angazhuar per t’i dhënë prioritet sigurimit të një shërbimi sa më të kualifikuar, gjithë kategorive te ndryshme te te semureve kronike, nje nga te cilët janë dhe të sëmurët me hemofili”.

Vasili tha se “jemi të ndërgjegjshëm për koston financiare mjaft të lartë që ka trajtimi dhe ndjekja e hemofilisë, prandaj kemi marrë masat konkrete për të rritur cilesinë e shërbimit për këta pacientë, si dhe përballimin e kostove të mjekimit të kësaj semundje, deri sa kjo patologji të jetë nën kontroll të plotë”. Ministri i Shëndetësisë përmendi në këtë drejtim ngritjen e një qendre në QSUT për trajtimin e këtyre pacientëve, si dhe rritjen e e cilësisë së shërbimit laboratorik per keta paciente.

“MSH e konsideron këtë çështje si një problem te madh për shërbimin tonë shendetesor, e per kete arsye do te vazhdojë të mbështesë me përparësi këtë grup të sëmurësh, duke synuar jo vetëm trajtimin gjithnjë e më cilësor e të sigurtë të tyre, por në radhë të parë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës, për integrimin e tyre si duhet ne shoqëri”, përfundoi Vasili.