HILEJA E DETIT, GREQIA DO TË PËRFITOJË 5 MILIARDË METËR KUB GAZ

Nga Dorjan
Shkruar ne 21 Pri 2012 ora 5:07pm

Me marrëveshjen e ujërave dhe regjistrimin e popullsisë, marrëdhëniet greko-shqiptare do të hynin në fazën e zhvillimit normal dhe pa çështje ende të trashëguara. Të paktën kjo është optika e Athinës zyrtare, e cila e ka vlerësuar ngrirjen e krijuar në raportet mes dy vendeve në rrugë institucionale dhe me prioritet. Ministri i Jashtëm, Stavros Dimas ka dhënë në këtë kuadër përgjigje të zgjeruara në një takim të Komitetit Parlamentar të Politikës së Jashtme dhe asaj të Mbrojtjes mbajtur në fundin e vitit 2011, ku ai ka sqaruar ndër të tjera edhe bisedat e zhvilluara me ministrin shqiptar, Edmond Haxhinasto.

Nën okelion, “Informim nga ministri”, takimi i deputetëve grekë ka vendosur në tryezë fakte të qarta, sipas të cilave pakti detar dhe problemi i regjistrimit ndërthurin në vetvete interesa ekonomike dhe politike. “Në takimin tim me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, ne diskutuam ndër të tjera për çështjet e mbetura pezull në marrëdhëniet dypalëshe ku bën pjesë edhe marrëveshja e delimitimit të zonave detare, nënshkruar në përputhje me ligjin ndërkombëtar të detit. Kjo çështje do të jetë prioritet i yni së bashku me vende të tjera me të cilat Greqia duhet të nënshkruajë marrëveshje të ngjashme”, është shprehur Dimas. Në përgjigje të pyetjeve të bëra nga deputetët grekë, ai ka shtuar se “marrëveshja detare nuk ka fuqi juridike për sa i përket Zonave Ekskluzive Ekonomike”.

Kjo nënkupton se kapitulli më më me interes, nuk është dhe aq vija kufitare në vetvete si një gardh i ujërave territoriale, sesa pakti për zonat detare në tërësi të cilat mandej lejojnë shpalljen e ZEE-ve. Ky përkufizim mbi vlefshmërinë e marrëveshjes është gjithsesi “i ri”, pasi për opinionin shqiptar ajo është perceptuar gjerësisht si një lojë pas së cilës qëndrojnë kryesisht pretendime tradicionale. Dimas ka sqaruar se diskutimi mbi të gjitha këto çështje është bërë me homologun shqiptar në samitin e Vilniusit në Lituani, ndonëse në nivel politik, temat nuk kanë një trajtim të posaçëm.

Në parashtresat e bëra nga deputetët grekë më shumë është marrë në konsideratë interesi ekonomik i Greqisë, e cila sheh te marrëveshjet e zonave detare me vendet fqinj, një mundësi të fundit për të shpëtuar ekonominë e vet. Kështu, deputeti i djathtë Qirjakos Velopulos ka përmendur shifra të jashtëzakonshme që nëse rezultojnë të vërteta, përligjin çfarëdo lloj ballafaqimi. “Për marrëveshjen e ujërave, ju zoti ministër, duhet ta dini më mirë se problemi i shqiptarëve janë ishujt e Jonit. Dihet shumë mirë pse po e diskutojmë këtë çështje-janë rezervat kolosale të gazit që ndodhen në afërsi të këtyre ishujve. Këtë e thonë edhe gjeologët. Shqiptarët nuk e pranojnë ndarjen e kufirit ujor sepse aty ndodhen 5 miliardë metër kub gaz. Ky është realiteti. E përsëris 5 miliardë metër kub gaz, herë 100 dollarë fuçia, bëhet fjalë për 500 miliardë dollarë. Kaq janë rezervat, e thonë edhe gjeologët. Pra çfarë do të bëjmë me këtë histori. Nuk më intereson nëse janë socialistët apo demokratët ata që qeverisin aktualisht Shqipërinë. Më intereson të di kush u ka thënë të thonë jo për këtë marrëveshje”, ka theksuar ai.

Sikundër vihet re në lojën shqiptare të paktit detar, politika greke sheh sponsorizim të faktorëve të huaj, duke hedhur kështu hije dyshimi mbi vendimmarrjen paraprake të Tiranës në këtë drejtim. Edhe për çështjen e heqjes së termit kombësi nga regjistrat e gjendjes civile, kanë qenë sërish deputetë të djathtë ata që kanë kërkuar llogari. Sipas tyre, orkestra e këtij vendimi ka qenë po ajo Gjykatë Kushtetuese që solli rrëzimin e paktit detar. “Kam bërë një pyetje dhe kërkoj përgjigje. Edhe njëherë ju pyes, nëse kishit mundësi ta diskutonit këtë çështje me ministrin e jashtëm shqiptar dhe nëse po, çfarë ju tha? Sepse të gjithë po e kuptojmë se kemi të bëjmë me një aleancë të heshtur mes Aleancës Kuq e Zi, partisë së Çamëve, Partisë Socialiste, por edhe demokratëve të Berishës, që ndonëse mund të jetë për qëllimet e tyre të brendshme kanë si objektiv Greqinë”, ka parashtruar deputeti Johanis Korantis, dikur ish-shef i shërbimeve sekrete greke.

 

 

Pasaportat e çamëve, kontakte në nivel teknik me Greqinë

Qeveria shqiptare dhe ajo greke kanë nisur kontaktet në nivel teknik për zgjidhjen e problemit të krijuar në kufi për shtetasit shqiptarë që kanë të shënuar në pasaportë vendlindjen “Çamëri”. Burime nga Kryeministria bënë të ditur dje se pjesë e përgjegjësisë institucionale në këtë çështje është edhe Ministria e Brendshme që përgjigjet për emetimin e pasaportave dhe si e tillë ajo është palë në trajtimin e problemit. Meqenëse ende nuk ka një ofertë konkrete duket se qeveria shqiptare po kërkon të fitojë kohë në raport me palën greke, me të cilën ka të hapur paralelisht edhe çështja “Disho”. Në këtë kuadër, gama e problemeve me Greqinë duket se ka krijuar një rrjetë të gjerë, zgjidhja e së cilës mban pezull edhe shkëmbimin e vizitave në nivel politik. Burimet nga Ministria e Jashtme thanë dje për Shekullin se një arsye për këtë është edhe situata në vendin fqinj, ku funksionon një qeveri teknike dhe me mbajtjen e zgjedhjeve shpresohet që diçka të qartësohet.

Minoriteti do t’a çojë në Strasburg certifikatën pa kombësi

Heqja e termit “kombësi” nga certifikatat, me gjasë do të bëhet objekt shqyrtimi në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut. Do të jetë minoriteti dhe përfaqësia e tij politike në Shqipëri që mund të vërë në lëvizje një procedurë të këtillë, meqenëse Greqia vetë ka preferuar të ulë profilin e veprimit. Ministri Dimas ka shpjeguar se reagimi i Athinës zyrtare është diplomatik; ai synon ndikimin dhe diskutimin me palën shqiptare, e cila e ka të qartë se çfarë detyrimesh burojnë në kuadër të procesit integrues. Kriza e tanishme kushtëzon këtë qëndrim, i cili kërkohet me forcë nga të djathtët nacionalistë në Greqi. Për këtë arsye rezultati i zgjedhjeve të afërta në vendin fqinj, ka rëndësi edhe për ecurinë e marrëdhënieve mes dy vendeve meqenëse një fitore e Samarasë me gjasë do të riciklonte temat e nxehta mes të dyja vendeve.  “Për Greqinë, minoriteti etnik grek është një urë miqësie mes dy vendeve. Presim që edhe Shqipëria të ketë të njëjtën optikë në mënyrë që marrëdhëniet tona të ecin në drejtimin e duhur, pasi shumë shpejt do të nisim diskutimet për të gjitha këto çështje me qeverinë shqiptare, në mënyrë që të qartësojmë edhe qëllimet e saj. Dua t’ju them se minoriteti grek po shqyrton mundësinë e ankimimit në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut”, është shprehur ministri grek, duke sqaruar se mes Shqipërie dhe Greqisë ka një axhendë konkrete të vënë në vijë diskutimi.