Historia e Vlorës së vjetër, sipas Padre Xhovani Mercurio

Nga Dorjan
Shkruar ne 16 Pri 2012 ora 3:26pm

Është befasuese miniekspozita “Vlora ndër vite” edhe për faktin se si një i huaj, njeh qytetin bregdetar më mirë se një vendas, madje dhe historinë e tij.

Padre Xhovani Merkurio (Giovani Mercurio), jo vetëm që njeh gjithçka për këtë qytet, historinë e kufijve të saj, por shpjegon me detaje çdo foto që ai ka ngjitur në stendat ekspozuese në ambientet e kishës katolike të Vlorës.

Më e vjetra ndër 30 fotografitë, e vitit 1910, rrëfen një histori më vete. Me shqipen e që e kupton shumë mirë dhe e flet disi, padre Xhovani tregon si ka qenë pozicionuar Vlora dikur. “Kjo është rruga Vlorë-Skelë, nis e tregon ai për një foto të vitit 1919. Ka qenë fare bosh atëherë, ndërsa 40 vjet më vonë është te kjo foto tjetër”.

Fort mirë njeh dhe shtëpitë e vjetra. Të tregon pozicionimin e dikurshëm të shtëpisë së Sharrajve, ndër godinat e vjetra, gjendur dikur në qendër të qytetit. Është shtëpia e Sharrajve pranë Sheshit të Flamurit, aty ku sot është hoteli i pambaruar.

“Kjo është xhamia, vijon të bëjë ciceronin prifti italian. Kjo tjetra Banka Italiane dhe në foton ngjitur është qendra e qytetit në vitin 1940. Një tram me kuaj dhe poshtë saj Pusi i Kavalonës, një nga të njohurit në fshatin Nartë.” Në foto ka dhe momente lufte.

Të plagosur dhe motra italiane gjatë Luftës së Dytë Botërore të cilat padre Xhovani i ka gjetur në Vlorë. “Ekspozita doli diçka spontane. Unë kërkoja historinë e kishës katolike, kërkoja dhe foto të saj. Por gjatë kësaj punë disavjeçare filluan të më bien në dorë dhe foto të Vlorës. Më ngacmoi ideja t’i mblidhja të gjitha.

Kështu që fillova të kërkoja. Ishin shumë interesante dhe shumë e vështirë t’i gjeje. Pak nga pak krijova ekspozitën.” Për njerëzit që e kanë ndihmuar dhe i kanë dhënë foto, padre Xhovani thotë se duhet t’iu ruajë anonimatin. Ata që ia kanë dhënë nuk do donin të tregonin detaje e hollësira. I kanë thënë se nuk duan të bëhen publikë. Dhe ai po respekton dëshirën e tyre.

Ndoshta pak kush di që Vlora ka patur një monedhë të vetën. Padre Xhovani ka dy të tilla në të cilat lexohet “1 frank një kart” si dhe pranë tyre foton e ish/kryebashkiakut të Vlorës që i ka firmosur ato, Qazim Kokoshi. “Është një monedhë e vitit 1924 dhe është monedha e Vlorës. Nuk di nëse është në ndonjë muze. Për me sa di unë, jo. Ajo këmbehej këtu në qytet”. Në disa nga fotot janë xhamitë e Vlorës.

Padre thotë se ato janë objekte kulti dhe “ne i konsiderojmë të tilla, kështu që gjenden mirë këtu edhe pse i përkasin një feje tjetër.” Është për të ardhur pak keq që kjo pjesë e historisë së Vlorës së vjetër mund ta shohin pak sy katolikësh që vijnë në kishë si dhe miq të kishës.

E vetme foto më e re e ekspozitës është një hartë e TEC-it. Jo rastësisht ndodhet këtu. Padre Xhovani i ka ndjekur me vëmendje të gjitha zhvillimet dhe debatet për ngritjen e TEC-it në gjirin e virgjër të Vlorës. Për këtë arsye ai s’mund ta linte në hije edhe këtë pjesë të qytetit. Kjo është çfarë po ndodh tani. Dhe padreja nuk e fsheh që është pro ambientalistëve.

Padre Xhovani ndodhet në Vlorë prej 15 vjetësh si kryetar i kishës katolike të qytetit. Falë misionit të kishës dhe nën kujdesin e tij, funksionon ambulanca aty pranë prej vitit 1991 si dhe një kopsht fëmijësh në Pusin e Mezinit prej vitit 2000. “Vlora më pëlqen.

Tani ndihem si në shtëpinë time. Prej vitesh unë kam kërkuar dhe shtetësinë shqiptare, por ka pak ditë që përgjigja ka ardhur negative – vijon ai, teksa hap një zarf ku ruhet refuzimi. “Zyra e Presidentit të Republikës ju njofton se aplikimi për fitimin e nënshtetësisë u shqyrtua dhe nuk u miratua”.

Është e përgjigja e 6 shtatorit 2006. “Kështu është vendosur”