Hiv/Aids, në 20 raste është transmetuar nga nëna tek fëmija

Nga Dinejda
Shkruar ne 25 Maj 2012 ora 4:43pm

TIRANË- Një grua shtatzanë HIV pozitiv ka arritur që të lindë fëmijën e saj pa transmetuar virusin vitin e kaluar, ndërsa pak vite më parë një tjetër ka abortuar pikërisht për shkak të frikës së përcjelljes së virusit tek fëmija.

“Janë 26 fëmijë HIV pozitiv aktualisht, 20 prej të cilëve e kanë marrë virusin nga nëna në lindje dhe 6 përmes transfuzionit të gjakut”, tha Marjeta Dervishi nga Programi Kombëtare i HIV/AIDS, në Institutin e Shëndetit Publik, në takimin e organizuar në Hotel “Tirana International’ nga Shoqata e Personave që jetojnë me HIV/AIDS. 

Ndërkohë, nga monitorimi “Parandalimi i transmetimit të HIV nga nëna tek fëmija në Tiranë, përmes rritjes së ndërgjegjësimit të popullatës dhe fuqizimit të kësaj popullate për përdorimit e shërbimeve ekzistuese për kujdesin ndaj HIV”, rezulton se ka rritje të informacionit dhe ndikimi është pozitiv.
“Rekomandohet që donatorët të vazhdojnë mbështetjen e këtyre ndërhyrjeve, përderisa rezultatet tregojnë se sa më të ekspozuar të jenë njerëzit ndaj informacioneve të qarta, të thjeshta, të përthithshme ndaj tyre, aq më të predispozuar janë ata të ndryshojnë qëndrim dhe të ndërmarrin veprime për parandalimin e HIV nga nëna tek fëmija”, tha prezantuese e projektit, Altina Peshkatari.

Sipas saj, duhet të rritet mbështetja e përshkallëzimit të ndërhyrjes në shërbime të tjera, përderisa rezultatet sugjerojnë që popullata duhet të dijë ku të shkojë e të mbrojë shëndetin e vet dhe të fëmijës. Gjithashtu, Peshkatari tha se nevojitet shtrirja e fushatave në këtë drejtim, duke përdorur burime të ndryshme informimi, por edhe krijimin e shërbimeve të plota dhe gjithëpërfshirëse.

Në total, sipas Dervishit, janë 513 raste të identifikuara HIV pozitiv, 70 % e të cilëve meshkuj dhe 30 % femra. Rasti i parë HIV pozitiv në vend u identifikua në 1993.