HOLLANDË, 125 TË PLAGOSUR NGA PËRPLASJA E TRENAVE

Nga Dorjan
Shkruar ne 23 Pri 2012 ora 10:14am

Dy trena janë përplasur brenda qytetit. Për aksidentin e rëndë ende nuk janë gjetur shkaqet. 56 vetë sipas medieve hollandeze kanë marrë plagë të rënda.

Si pasojë e një aksidenti të rëndë me trena në kryeqytetin holandez Amsterdam janë plagosur të paktën 125 vetë, një pjesë e tyre rëndë. Në afërsi të stacionit të trenit Amsterdam-Sloterdijk një tren i shpejtë është përplasur me një tren rajonal me dy kate. Arsyeja përse dy trenat lëviznin në të njëjtën shinë është ende e panjohur. Qarkullimi i trenave mes stacionit qendror të Amsterdamit dhe aeroportit Schiphol u pezullua përkohësisht.

Autoritetet kanë sinjalizuar ndërkohë nisjen e hetimeve.

“Unë dua të mësoj sa më herët që është e mundur, se cili ishte shkaku për këtë aksident të tmerrshëm”, i tha Ministrja hollandeze e Infrastrukturës, Melanie Schultz stacionit televiziv RTL Nieuws. Shoqëria e hekurudhave ProRail u tregua në një deklaratë të parë e shokuar për përplasjen e trenave të pasagjerëve dhe u shprehu ngushëllimet të plagosurve dhe familjeve të tyre.

Sipas medieve hollandeze, aksidenti brenda Amsterdamit shkaktoi 125 të plagosur. 56 prej tyre kanë marrë plagë të rënda, bënë të ditur RTL Nieuws dhe Stacioni televiziv AT5.