I jepet sot lamtumira e fundit koreografit të njohur Agron Aliaj.

Nga Dinejda
Shkruar ne 18 Maj 2012 ora 12:25pm

TIRANË- Miq të afërm, njerëz të kulturës dhe personalitete të njohura të vendit do të zhvillojnë sot homazhe në Teatrin e Operas dhe Baletit duke nderuar figurën e shquar të maestros së baletit shqiptar Agron Aliaj.

Pas një lufte të gjatë mes jetës dhe vdekjes, zemra e koreografit të njohur ka ndalur dje në reanimacionin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Ka qenë data 7 mars kur profesor Agron Aliaj është përplasur nga një makinë kur sapo kishte lënë provat në Teatrin e Operës dhe Baletit. Aksidenti ndodhi, kur koreografi në moshën 79-vjeçare, ishte duke kapërcyer rrugën pranë Teatrit. Ka qenë vetë drejtuesi i mjetit Audi A6 që e ka dërguar artistin në urgjencën e Spitalit Ushtarak në kryeqytet. Gjendja shëndetësore e Aliaj u përkeqësua ditët e fundit.

Familjarët i kanë bërë shpesh herë apel shtetit, që t’i krijonte mundësi trajtimi më të specializuar, qoftë në spitalet publike, apo private në vend ose jashtë shtetit.