I NGACMOI TË FEJUARËN, I NGUL THIKËN NË ZEMËR

Nga Dorjan
Shkruar ne 04 Apr 2012 ora 9:48pm

Sherrr në lokal në Babrru, plagoset një person me thikë në zemër. Policia e komisariatit nr.5, në Kamëz, arreston autorin e dyshuar të krimit i cili pas ndalimit të tij nga blutë e këtij komisariati pranoi autorësinë e krimit, duke pohuar se i plagosuri i kishte ngacmuar të fejuarën. Ndriçim Elezaj, rreth 30 vjeç, banues në Babrru, me precendent penalë të grabitjes me armë, u ndalua nga policia e komisariatit të Kamzës, me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë me pasojë plagosjen e rëndë të një personi.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e të martës, duke u gdhirë dita e djeshme në lokal të njohur me emrin bar “UNO” në lagjen Babrru të Paskuqanit, kur pas një grindjeje mes dy personave, mbeti i plagosur Sadil Llani 26 vjeç, banues në lagjen Babrru të Paskuqanit. Sipas burimeve të policisë incidenti ndodhu rreth orës 00:30, duke u gdhirë dita e djeshme në Babrru, në ambientet e një lokali, kur dy personat u konfliktuan me njëri- tjetrin fizikisht ndërsa më pas i Elezaj, me një thikë goditi Llanin.

Pas gati 10 minutash, i dëmtuari, mbërriti në spitalin ushtarak në kryeqytet në gjendje të rëndë shëndetësore për jetën. Pak kohë pas ngjarjes në vendin e krimit, mbërritën efektivët të komisariatit nr.5, në Kamëz, të cilët pas hetimeve të para identifikuan dhe shpallën në kërkim autorin e dyshuar të krimit. Pas disa orë kërkimesh, policia e komisariatit të Kamzës mundi të ndalonte të dyshuarin kryesor të krimit, 30 vjeçarin Elezaj. Nga marrja e tij në pyetje, ai pranoi autorësinë e krimit, duke pohuar se shkak për ngjarjen shërbeu, fakti se i plagosuri po ngacmonte të fejuarën e tij.

Të ndaluarit blutë i komunikuan akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë dhe të plagosjes së rëndë. Ndërkaq i dëmtuari pas mjekimit të marrë kaloi rrezikun për jetën, ndërsa mjekët thanë se ai kishte marrë një plagë në në krahun e majtë pranë zemrës. Pas ndërhyrjes së bluzave të bardha ai mundi të shpëtonte dhe tashë sipas bluve është në gjendje të përmirësuar dhe pritet të pyetet nga hetuesit e zyrës së Krimeve ndaj jetës.