Ilir Meta nderohet si personaliteti më pozitiv për vitin 2010

Nga Dorjan
Shkruar ne 20 Mar 2012 ora 5:22pm

Meta ka qenë personazh pozitiv për vitin ku u kap duke bërë korrupsion me bllok në dorë!!! Çmimin ia jep organizata IFIMES në Slloveni dhe ia dorëzon Stipe Mesiç, ish- presidenti kroat

Në Shqipëri nuk janë të shumtë ata njerëz që mund ta konsiderojnë Ilir Metën si personazh pozitiv. Por, duket se nuk mendojnë kështu në Slloveni, ku Metën e kanë shpallur si personalitetin më pozitiv për politikën e jashtme për vitin 2010, kohë kur Meta ishte ministër i Jashtëm.

Çmimi Metës i është dhënë nga Instituti Ndërkombëtar për Ballkanin dhe Lindjen e Mesme (IFIMES), ndërsa i është dorëzuar nga ish-presidenti kroat, Stipe Mesiç.

Gjatë kësaj ceremonie janë dhënë edhe çmime të tjera, ku kryeministri turk, Erdogan, ka marrë çmimin “Personaliteti botëror i dekadës”. Presidenti i Irakut, Jalal Talabani mori çmimin “Personaliteti i vitit 2011″, ndërsa ministri i Jashtëm i Azerbajxhanit Elmar Mammadyarov mori çmimin “Personaliteti pozitiv në fushën e politikës së jashtme për vitin 2011″.

Ky çmim si rregull i duhej dorëzuar Metës në vitin 2011, por mesa duket organizatorët kanë vendosur që ta shtyjnë për shkak se Meta, personazhi pozitiv, po hetohej për korrupsion, të cilin e kishte bërë gjatë vitit pozitiv 2010!! Për këtë arsye mesa duket çmimi i është dhënë sivjet atij. IFIMES është një organizatë që e ka përkrahur Metën vazhdimisht, edhe në kohën kur ai ishte në grevë urie. Në disa analiza që ka bërë IFIMES, i ka bërë gjithmonë presion Berishës se pa Metën, nuk ka të ardhme si qeveri.