Impianti i ujërave të zeza në Tiranë, Berisha: Projekt me rëndësi.

Nga Dinejda
Shkruar ne 07 Pri 2012 ora 11:18am

TIRANE - Në mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit, kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e ndërtimit të impiantit të ujërave të zeza në Tiranë, duke bërë të ditur se ky projekt është një investim prej 90 milionë eurosh.

Kryeministri e vlerësoi këtë projekt si investimin më të madh në trajtimin e ujërave të zeza në të gjithë territorin shqiptar. “Ky është investimi më i madh që bëhet në historinë e vendit në trajtimin e ujërave të zeza. Është një investim prej 90 milionë euro. Një ndihmë bujare e qeverisë japoneze. Janë hapur procedurat e tenderit dhe projekti fillon së shpejti.

Sipas Kryeministrit, ky projekt u bë i mundur, pasi “qytetarët e Tiranës mençurisht zhbllokuan veten e tyre nga bllokadat e panevojshme dhe të dëmshme për ta”.

“Ndërtimi i impiantit të ujërave të zeza për Tiranën kompleton ndërtimin e impianteve të mëdha nga Velipoja në Ksamil”, -tha kryeministri, duke shtuar se, do të bëhet e mundur që shumë shpejt ujërat e bregdetit shqiptar të jenë ujërat më të pastra të brigjeve të Adriatikut, Jonit dhe të Mesdheut në tërësi”.

“Me 14 impiante dhe ky është i 15-i që ndërtohet në të gjithë zonën para bregdetare dhe bëhet i mundur një realizim i treguesve më të pastër të ujërave të brigjeve tona”, u shpreh Kryeministri.