Intervista me Z. Avni Spahiu, ambasadorin e Republikës së Kosovës në Washington, DC.

Nga Sage
Shkruar ne 28 Jun 2011 ora 12:16pm

Kush është Z.Avni Spahiu?
Avni Spahiu është aktualisht ambasadori i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Washington.
Ka lindur në 12 Mars 1953, në qytetin e Mitrovicës, në Kosovë. Ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Prishtinës në 1986, duke u diplomuar dhe magjistruar për Letërsi. Z. Spahiu ka punuar si gazetar, dhe ka qënë aktivist i të drejtave të njeriut.
Nga viti 1999-2000, ka punuar si kryeredaktor i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), dhe më pas nga viti 2002 deri në 2003, ka vazhduar të jetë drejtor i këtij institucioni.
Ai ka punuar për disa vite si korrespondent për gazetën e përditëshme shqiptare “Rilindja” e Prishtinës në Nju-Jork, përpara se të bëhej këshilltar politik i presidentit Ibrahim Rugova, i konsideruar si babai modern i Kosovës së pavarur.
Gjate karrierës së tij ka qenë i përfshire me lëvizjet e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe ka përkthyer më shumë se 20 vepra letrare, filozofike dhe poezi, përkthime nga gjuha shqipe në Anglisht dhe anasjelltas. Ai ka themeluar Qendrën për Informim të Kosovës, një agjensi lajmesh, dhe ka drejtuar Radio Televizionin e Kosovës.

Me 4 Nëntor 2009 Z. Spahiu bëhet ambasador i Kosovës në Shtetet e Bashkuara te Amerikës, pasi ka shërbyer si i ngarkuar me punë i ambasadës atje, nga 27 Tetor 2008, i emëruar nga presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, pasi ai ishte propozuar nga kryeministri Hashim Thaçi.

Në vijim ne i kemi mundur të zhvillojmë edhe një intervistë.

People. al – Z. Spahiu mund të themi se karriera juaj diplomatike ka filluar që nga 27 Tetori 2008, ku ju keni qënë edhe i ngarkuari me punë i ambasadës së Kosovës, ndërkohë që zyrtarisht detyra juaj ne funksionin e ambasadorit të Kosovës në SHBA zyrtarisht, ka nisur më 4 Nëntor 2009.
Si jeni gjendur në këtë detyrë? Sa e veshtirë dhe sfiduese ka qënë per ju një karrierë diplomatike, në vendin më të fuqishëm të botës, duke patur parasysh edhe faktin që Amerika ka qënë dhe mbetet deri më tash mbështetesi kryesor në përkrahjen e pavarësise dhe ecjen e saj në rrugën e demokracisë?

Z. Saphiu – Ka qenë një privilegj dhe një sfidë njëkohësisht. Shtetet e Bashkuara janë miku më i madh i Kosovës dhe i shqiptarëve dhe aleati që udhëtoi me popullin e Kosovës gjatë tërë periudhës së lëvizjes për pavarësi. Për ne ka qenë një nder i veçantë që të nisnim shërbimin diplomatik të Kosovës në këtë vend mik dhe të punojmë për forcimin e miqësisë dhe të bashkëpunimit midis vendeve tona. Ka qenë një sfidë e vështirë që u kurorëzua me funksionalizimin e plotë të përfaqësimit tonë në Uashington dhe të pranisë diplomatike të shtetit më të ri të botës.

People.al – Si paraqitet sot situate politike dhe ekonomike ne Kosovë? A kane gjetur mbështetje reformat politike dhe ekonomike në vend nga opinioni ndërkombëtar dhe kryesisht nga SHBA?

Z. Spahiu – Kosova ka kaluar një rrugë të rëndë deri tek pavarësia. Ka trashëguar nga e kaluara probleme të shumta dhe ndër to, s’do mend është zhvillimi ekonomik i ngecur me dekada. Në Kosovë për dhjetra vjet në kohën e pushtimit të plotë ka ndodhur një rrënim i tërësishëm ekonomik, pa investime dhe pa cytje zhvillimore. Prandaj, përpjekjet për të bërë reforma dhe për progres në ekonominë kosovare janë prioritet i qeverisë aktuale. Përmirësimet janë të dukshme dhe Kosova ka resurse dhe mundësi reale për të mbajtur një trend stabil të zhvillimit të saj ekonomik. Kosova është mbështetur edhe në këtë aspekt nga miqtë e vet, por, natyrisht edhe nga Shtetet e Bashkuara. Kjo vazhdon të jetë një nga proceset më të rëndësishme për vitet e ardhshme.

People. al – Sic e dimë të gjithë ende ka probleme etnike midis shqiptarevë dhe serbëve . A mund të na thoni se në c’ nivel gjenden sot marrdhëniet shiptaro-serbe. Duke ju referuar edhe një interviste tuajës të mëparshme në „Zërin e Amerikes“ ju keni përmendur faktin, se në lidhje me këtë ka pasur një strategji të caktuar. A mund të na thoni sot nëse kjo strategji ka funksionuar dhe cilat kanë qënë rezultatet e saj ndërsa flasim sot për këtë cështje?

Z. Spahiu – Strategjia politike e Kosovës është e njohur, orientimi i saj joekuivok për të qenë pjesë e integrimeve europiane dhe euro-atlantike, si dhe i një politike të hapur dhe aktive të fqinjësisë së mirë, pra edhe ndaj Serbisë. Por këto raporte i rëndon si e kaluara (meqë Serbia ka bërë agresion dhe krime të papara në Kosovë) ashtu dhe tashmja – në mungesë të ndryshimeve të mentalitet të vjetër dhe të mangësisë së sensit realist të Serbisë ndaj Kosovës. Çelësi i këtyre marëdhënieve në të ardhmen do të jetë njohja nga ana e Serbisë e pavarësisë së Kosovës dhe realiteteve të reja.

People. al – Cili është qëndrimi i komunitetit ndërkombëtar në lidhje me këtë cështje? A është menduar për një zgjidhje të bashkëjetesës midis shqiptarëve dhe serbëve, sidomos përsa i përket pjesës së Mitrovicës veriore, ku situatat kanë qënë të ndera?

Z. Spahiu – Kushtetuta e Kosovës garanton të drejta të gjera për të gjitha komunitetet etnike në Kosovë, pra edhe për serbët. Në këtë kuadër do të zhvillohet bashkëjetesa edhe në pjesën veriore të Kosovës.

People. al – Cilat janë zhvillimet më të fundit që priten të zhvillohen në Kosovë dhe disa nga prioritetet kryesore të politkës së jashtme. Cila është situata e sotme në rajon dhe cilat janë marrëdhëniet e saj me fqinjët?

Z. Spahiu – Zgjerimi i numrit të njohjeve ndërkombëtare vazhdon akoma të jetë prioritet i politikës së jashtme të Kosovës. Dhe, në këtë drejtim po punohet edhe me një strategji të hartuar së voni nga Ministria e Jashtme. Kosova zhvillon politikë konstruktive dhe të bashkëpunimit në rajon dhe me përjashtim të raporteve të saj me Serbiën, Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me fqinjtë e saj.

People. al – Duke qënë se perfaqësitë diplomatike kanë si detyrë kryesore prezantimin e shtetit të tyre dhe vendosjen e marrëdhenieve diplomatike në nivel ndërkombëtar, në sa ka arritur numri i përfaqësive diplomatike të Kosovës sot në botë.

Z. Spahiu – Aktualisht janë 20 përfaqësi diplomatike dhe 13 konsulata në botë. Varësisht nga zhvillimet dhe interesat e diplomacisë kosovare ky numër mund të jetë më i madh në të ardhmen. Kosova është e interesuar të ketë marrëdhënie diplomatike me sa më shumë vende dhe përfaqësim adekuat rajonal në anë të ndryshme të botës.

People. al– Përvec çështjeve me karakter politik, a keni menduar apo zhvilluar takime apo veprimtari të cilat të kënë pasur në qendër të vëmendjes edhe çështjet me natyrë ekonomike? Këtu mund të përmendim, cështjen e tërheqjes së investitorëve të huaj psh. nëse nga prezantimi që i bëhët Kosovës, a po paraqet ajo një vend me burime tërheqëse për ta.
Si është menduar një gjë e tillë?

Z. Spahiu – Pjesë e rregullt e Ambasadës është edhe bashkëpunimi ekonomik me vendin mikrpitës. Vitin e kaluar Ambasada ka organizuar një konferencë mbi investimet në Kosovë, që ishte një formë e prezantimit të mundësive reale dhe pikave me interes për investitorët e huaj. Kosova ka bërë një infrastrukturë atraktive legjislative për investimet, e cila është në përmirësim të vazhdueshëm për të pasur një klimë atraktive për investitorët e huaj. Aspektet e bashkëpunimit ekonomik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara janë pjesë e punës sone të përditshme duke kërkuar që Kosova të mbetet në programin preferncial tregtar me SHBA dhe që, në këtë kohë, kur Shtetet e Bashkuara po bëjnë kufizime drastike të asistencës së tyre për vende të jashtme, po punojmë që Kosova të vazhdojë pjesë e këtyre programeve edhe në të ardhmen.

People al – Së fundmi, ju do te jeni në pozicionin e diplomatit edhe për (sa kohë….edhe 1 vit). Nëse do të benit një rezyme të punës dhe aktivitetit tuaj këtu në Amerikë, cilat do te ishin disa nga përfundimet më të rëndësishme, që ju keni arritur të nxirrni gjatë kësaj kohe ?

Z. Spahiu – Themelimi dhe konsolidimi i përfaqësimit diplomatik në Uashington. Puna në forcimin e marrëdhënieve dhe të miqësisë me SHBA-të dhe aktivitetet në komunikimet me përfaqësitë diplomatgike në Uashington në favor të njohjeve të reja dhe të forcimit të marrëdhënieve më vende të ndryshme.

People. al – Natyrisht që kjo pune e sapo filluar do të vazhdojë më tej. Cilat mbeten sipas jush disa nga prioritet kryesore të shtetit të ri kosovar për të ardhmen në fushën e politkës së jashtme?

Z. Spahiu – Kosova ka nevojë për më shumë njohje ndërkombëtare dhe do të vazhdojë punën e saj në këtë drejtim. Pranimi dhe përfaqësimi i Kosovës në institurcionet dhe organizmat ndërkombëtarë, rajonalë e kontinentalë do të jenë edhe më tutje pjesë e prioriteteve ………

Z. Spahiu, ju falenderojmë per intervistën. Suksese te mëtejshme!