Inva Mula, Rikthimi në skenë 1 muaj pas lindjes.

Nga Dinejda
Shkruar ne 05 Pri 2012 ora 6:17pm

Sopranoja Inva Mula edhe pse është duke pritur ardhjen në jetë të vajzës së saj të parë me bashkëshortin Et’hem Ramadani, nuk i ka lënë pas angazhimet e karrierës artistike. Vetëm një muaj pas lindjes, ajo do të ngjitet në skenën e Festivalit të Muzikës Klasike “Choregies Orange” që zhvillohet në teatrin antik “Orange”, në një nga monumentet më të bukura në Francë, që vjen si dëshmi e epokës romake. Në këtë skenë do të shfaqen në fillim të muajit korrik dy nga operat më të famshme të Puçinit, “La Boheme” dhe “Turandot”.

Sipas AFP-së, sopranoja shqiptare Inva Mula do të interpretojë rolin e saj më të dashur, Mimi në operan “La Boheme” që çel dhe festivalin më 7 korrik. Programi i festivalit është bërë publik pak ditë më parë, çka do të thotë dhe rikonfirmim nga ana e Inva Mulës që do të jetë pjesë e projektit të vënies në skenë të kësaj opere. Ndërkohë që duket se sopranoja edhe pse shtatzënë, është e angazhuar në provat e  koreanit Myung-Whun Chung që do të vërë në skenë këtë opera. “Ylli i skenave operistike, sopranoja Inva Mula është mësuar tashmë me rolin e Mimi-t te opera ‘La Boheme”, – shkruan AFP.

Kjo opera i është besuar dirigjentit Jugut Myung-Whun Chung nga Koreja e Jugut, i cili do të drejtojë Orkestrën Filarmonike të Radio-Francës. “Kjo opera që ndërthur gëzimin, dashurinë dhe dëshpërimin, do të ngjisë në skenën e teatrit antik sopranon shqiptare Inva Mula në krah të baritonit Tézier Ludovic, si dhe bas-baritonin italian Marco Spotti, i cili për herë të parë merr pjesë në këtë festival dhe përkrah dy yjeve si Inva Mula dhe Tézier Ludovic”, – shkruan AFP. Festivali operistik “Choregies Orange” zhvillohet nga data 7-31 korrik, por biletat për publikun janë shitur tashmë dhe programi i festivalit është publikuar pak ditë më parë në një konferencë për shtyp.

Opera tjetër e Puçinit “Turandot” do të drejtohet nga Michel Plasson dhe Orkestra Kombëtare e Francës. Programi i festivalit përfshin dhe vepra të tjera nga Mozarti, Rossini, por dhe koncerte të muzikës lirike. Rezervimet e biletave për këtë festival janë mbyllur që në tetor të 2011-ës. Ky festival është ndër ngjarjet më të rëndësishme që daton që në vitin 1860 dhe është festivali më i vjetër në Francë.

Skena antike ku zhvillohet ky festival mban rreth 9.000 spektatorë dhe është një nga skenat që renditet në vendet e para për sa i përket akustikës. Përdorimi i kësaj skene për shfaqje muzikore filloi të përhapej aty rreth vitit 1971 dhe në këtë skenë janë ngjitur këngëtarët më të mëdhenj lirikë të të gjitha kohërave.