Diploma e Bossit, MASH: ‘Kristal’-it i pezullohet licenca

Nga Dinejda
Shkruar ne 23 Maj 2012 ora 5:32pm

TIRANE- Pas skandalit të zbuluar nga mediat italiane se djali i ish-liderit të Lega Nord, Renzo Bossi kishte marrë një diplomë në Shqipëri, vetëm një vit pasi kishte mbaruar gjimnazin në Itali, vjen edhe reagimi i institucioneve shqiptare. Diploma e Bossit, ishte lëshuar nga universiteti jopublik “Kristal”.

Sipas vendimit të marrë sot në mbledhjen e qeverisë, Universiteti ‘Kristal’ nuk do të pranojë studentë të rinj për vitin akademik 2012-2013, pra do ti pezullohet licenca.

Po sipas këtij vendimi ndaj këtij universiteti MASH do kryejë inspektime periodike për standartet. 

Në një konferencë shtypi MASH bëri me dije se studentët aktual të Kristal do ta mbyllin vitin akademik. Drejtoria e Arsimit të Lartë në MASH theksoi se ky dikaster do kryejë inspektim cdo 3 muaj në këtë Universitet jo publik. Edlira Late, drejtoresha e Arsimti të Lartë theksoi se pas pezullimit, ‘Kristal’ do t’i nënshtrohet akreditimit institucional.
Late vuri në dukje se ka pasur kontrolle edhe në universitete të tjera. “Diplomat, verifikimet kanë pjesë e gjithë raportit të verifikimit që ka MASH”.

V E N D I M i QEVERISE
VENDIM PËR PEZULLIMIN E PJESSHËM DHE TË PËRKOHSHËM TË LICENCËS SË SHKOLLËS SË LARTË UNIVERSITARE JOPUBLIKE, UNIVERSITETI “KRISTAL”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 46, të ligjit nr.9741 datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Pezullimin e pjesshëm dhe të përkohshëm të licencës së shkollës së lartë universitare jopublike, universiteti “Kristal”, për të gjitha programet në të dyja ciklet e studimit, që ofron ky institucion i arsimit të lartë.

2. Shkolla e lartë universitare jopublike, universiteti “Kristal”, gjatë periudhës së pezullimit, nuk do të pranojë studentë të rinj në asnjë nga programet e studimit që ky universitet ofron.

3. Periudha e pezullimit të licencës së këtij institucioni të arsimit të lartë zgjat për 1 (një) vit, nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

4. Shkolla e lartë universitare jopublike, universiteti “Kristal”, ndërmerr masat e duhura që studentët e regjistruar pranë këtij institucioni të vijojnë apo të përfundojnë studimet në programet përkatëse, sipas kohëzgjatjes normale.

5. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, gjatë periudhës së pezullimit, merr masat për ushtrimin e inspektimit periodik, çdo 3 (tre) muaj, në këtë institucion, për përmirësimet e bëra në përmbushjen e standardeve shtetërore të cilësisë.

6. Në përfundim të periudhës së pezullimit të licencës, shkolla e lartë universitare jopublike, universiteti “Kristal”, i nënshtrohet akreditimit institucional sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi.

7. Në përfundim dhe në varësi të rezultatit të procesit të akreditimit, Ministria e Arsimit dhe Shkencës propozon masat përkatëse për këtë institucion të arsimit të lartë.

8. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe shkolla e lartë universitare jopublike, universiteti “Kristal”, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

HETIMET NE TIRANE
Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për diplomën e dyshimtë të marrë nga djali i Umberto Bossi-t, pranë universiteti jo publik Kristal në kryeqytet.

Burime nga prokuroria e Tiranës bëjnë me dije, se njësia Taks Force pranë këtij institucioni që po drejton hetimet, i është drejtuar me një letër-porosi palës italiane, ku kërkohet informacion për diplomën e pjekurisë së Renzo Bossit, për të verifikuar autenticitetin e diplomës së dorëzuar pranë universitetit ‘Kristal’, në bazë të të cilit është kryer edhe regjistrimi pranë këtij universiteti.

Ndërkaq hetimet kanë vazhduar edhe pranë universiteti jo publik Kristal, ku prokurorët e çështjes kanë sekuestruar disa regjistra të nevojshëm për hetimet. Ndërsa janë marrë në pyetje edhe drejtues të stafit pedagogjik, të cilët kanë sqaruar procedurat e regjistrimit pranë universitetit.

Renzo Bossi rezulton të jetë regjistruar në këtë universitet për vitin akademik 2007-2008, por sipas organit të akuzës ai nuk ka shkelur asnjëherë në tokën shqiptare. Ai është diplomuar pranë universitetit ‘Kristal’ për Menaxhim-Biznesi në tetor të vitit 2010.