Ish-konsulli Ikonomu në hetim për abuzime

Nga Dinejda
Shkruar ne 23 Mar 2012 ora 10:01am

Athinë – Ish-konsulli grek i Korçës Theodhoros Kamarinos Ikonomu është thirrur për të dëshmuar në një komision hetimor të Ministrisë së Jashtme të Greqisë.Lajmin e publikon gazeta “To Paron”, e cila sqaron se ai do të dëshmojë përreth katër ditë ndaj këtij komisioni, duke ju përgjigjur një aktakuze qindra faqesh, që është ngritur ndaj tij dhe qe ka te beje me keqtrajtim te çështjeve të konsullatës, si dhe mungesës së dokumentacionit në dhënien e vizave, shkruan Tch.Urdhri për daljen e tij para komisionit hetimor është dhënë nga ambasadorja Aleksandra Papadhopulu, pas dy dëshmive anonime ndaj tij si dhe një akuzë nga shoferi shqiptar i Konsullatës se Korçës. Gazeta ne fjale, qe i përket spektrit konservator me tendenca te theksuara etnike, konsideron se diplomati grek është thirrur për hetim vetëm 6 muaj pasi është kthyer nga Shqipëria, me kërkesë të organeve shqiptare, për arsye të bindjeve dhe deklaratave publike të tij në çështjen e Vorio Epirit.Për rastin reagoi edhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, duke theksuar se diplomati shkeli ligjet e vendit dhe u kthye në shitës vizash.  “Ne kishim dyshime, se ky njeri që para procesit të regjistrimit bëri thirrje publike që haptazi shtetasit shqiptarë, bashkëkombësit tanë të komunitetit vlleh, të deklaroheshin grekë, kishte një kurajë të dyshimtë. E gjithë trimëria e tij, kuraja për të shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare, vinte prej faktit që ky njeri tërë kohën bënte biznes me vizat e Bashkimit Evropian, me vizat e vendit të vet, dhe herë pas here bënte si patriot”, thekson reagimi.