ISH-KRYEMINISTRI, NANO: UNË PRESIDENT, PRANOJ GARËN NË KUVEND

Nga Dorjan
Shkruar ne 20 Pri 2012 ora 2:21pm

Ish-kreu i PS: Kam plus karrierën ekzekutive.

Ish-lideri historik i së majtës, Fatos Nano, i ftuar mbrëmë në “Top Story” me gazetarin Sokol Balla në Top Chanel, shpalli hapur kandidaturën e tij për President. Ai tha se e ka gati platformën e tij, të cilën do ta konsultojë me të gjithë krerët e partive parlamentare, nga të cilët kërkon konsensus, ose ndryshe do të jetë një nga kandidatët për kreun e shtetit në korrik të këtij viti.
A do të jeni ju kandidat për të pasuar Bamir Topin në rolin e Presidentit të Republikës?
Duket sikur po hyjmë në një temë, por kjo është një pyetje për të dalë nga tema. Me një batutë, dua të them që nuk jam kandidat, nuk jam kandidati më i rëndësishëm për Shqipërinë në 2012, pasi vetë Shqipëria është kandidate edhe është shumë e rëndësishme të fitojë statusin e merituar dhe të vonuar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian në procesin që ka nisur. Më lejoni të them me vërtetësi që, si politikan dhe qytetar i përgjegjshëm, kam bërë një ofertë, kam ofruar dijet dhe përvojën time, aftësitë dhe kapacitetet për të shërbyer që klima e sotme politike të ndryshojë, që marrëdhëniet midis politikës dhe institucioneve të jenë më progresive dhe nxitëse për të kryer detyrat e tyre ndaj qytetarëve dhe publikut. Pra, jam ofruar duke kontaktuar të gjitha palët, kam bërë të qartë se jam i gatshëm për të konkurruar në garën e sivjetshme. Ndërkaq, ky është vetëm fillimi dhe jam këtu për të deklaruar hapur, nëpërmjet jush, si për konceptin, frymën dhe vizionin për të cilën e bëj këtë ofertë dhe të gjitha veprimet që duhen ndërmarrë dhe produktet që do sigurojë.
Megjithatë, në bazë të Kushtetutës, duhet që një parti t’ju kandidojë. Çfarë do të tentoni ndryshe nga 2007, kur në një farë mënyre u vetëkandiduat edhe atëherë?
E dobishme dhe shpesh e mangët në politikën shqiptare është zgjerimi i hapësirës për dialog, negocim, mbi bazën e të cilit edhe palët të njohin njëra-tjetrën, natyrisht të njohin personalitetet që ofrohen dhe janë të disponueshme për t’u zgjedhur në funksione të rëndësishme, të cilat pa dyshim kërkojnë mirëkuptim, filtrim nga ana e politikës. Në raport me shfaqjen ose pamjen tradicionale të garave dhe të fushatave që jemi mësuar në të kaluarën, unë këtë herë, meqenëse publiku më njeh, kam preferuar të negocioj, të paraqes më afër në faktorët politikë të rëndësishëm konceptin dhe vizionin tim, duke krijuar kështu një proces që do t’i shërbente vendit dhe jo mua. Një proces të rivendosjes së besimit mes politikës dhe institucioneve, të prishur në disa raste mjaft kritike dhe jo thjesht në atmosferën mjaft simbolike të 100-vjetorit të Pavarësisë së shtetit tonë të përbashkët, por sidomos në pragun e takimeve të rëndësishme dhe vlerësuese të institucioneve euroatlantike që ndjekin statusin tonë.
Nëse doni të dilni kandidaturë konsensuale me të dyja partitë, a duhet të bëni të paktën një paqe formale me Partinë Socialiste?
Pyetja ka disa elemente që dua t’i trajtoj njëri pas tjetrit. E para dhe më e rëndësishmja, unë do të takoj të gjithë drejtuesit e partive të pranishme në Kuvendin e Shqipërisë, Kryeministrin, kryetarin e opozitës, zotin Meta, Mediu, Idrizin dhe zotin Dule. Besoj se është në detyrimet kushtetuese, jo vetëm të Presidentit si simbol i unitetit kombëtar, por edhe i çdo aspiranti në këtë funksion publik, që të gjejë hapësirat maksimale për të përfaqësuar, dëgjuar dhe integruar të gjithë, me gjithë pasuritë dhe vlerat individuale apo komunitare, në procesin e madh të unitetit kombëtar. E dyta që dua të theksoj, është se rasti i Mustafa Nanos është ndoshta më epiku, në njërin prej fenomeneve më të shëndetshme të demokracisë sonë ende të brishtë. Megjithëse mban emrin tim, mbetet një nga kritikët e mi më të vendosur dhe unë kam qenë shumë i vëmendshëm ndaj tij, ndaj kritikëve të tjerë, si Fatos Lubonja, aq sa shpesh bëjmë ndonjë humor njerëzor me ta, të tipit ndoshta ju më keni në qendër të vëmendjes, sepse keni emrin njëri, dhe tjetri mbiemrin tim. Ndërkaq, nuk kam reshtur së kujtuari ndaj vetes një parim të rëndësishëm, në raport me kritikën dhe kur ajo është e drejtë dhe kur ajo është e gabuar, edhe kur është jashtë kohe apo shënjestre, mirëpres kritikën dhe respektoj kritikët. Do të vazhdoj ta bëj këtë, sepse më ka mbajtur në formë të stërvitur politike. Njeriu i mbyllur, që nuk dëgjon zëra ndryshe, plaket apo humbet aktivitetin politik apo social më shpejt. Dhe më së fundmi, me këtë optikë dua të konsideroj edhe një herë pjesën e fundit të rëndësishme të pyetjes suaj, atë të marrëdhënieve të mia me partinë së cilës i kam shërbyer që nga themelimi, për 15 vite rresht, nga e cila kam dalë. Nuk mund ta mohoj identitetin tim si i majtë dhe si themelues e drejtues me ekipe të gjëra, përfaqësues i forcës kryesore të së majtës demokratike në Shqipëri dhe forcës më kontribuuese në zhvillimin e vendit në 22 vjet tranzicion dhe marrëdhëniet me të natyrisht nuk mund të ngushtohen, nuk mund të vlerësohen me intervistat, me çdo intervistë apo çdo moment që manifestohet me qëndrime politike të përshtatshme apo konjukturale.
Kur flisni për domosdoshmërinë e përmbajtjes së emocioneve të ndryshme, i referoheni së shkuarës suaj politike dhe konfliktit publik që keni pasur me zotin Rama?
Ka pasur reagime emocionale, të gjithë jemi stërvitur duke u rritur, duke u ballafaquar. Nuk besoj se dikush nga ne sot është në një situatë tjetër me më shumë avantazhe. Dikush ka mbaruar ndonjë shkollë standarde perëndimore për profesionin e politikanit, për shembull, në politikën moderne janë disa rrafshe, nuk kualifikohesh dot pa përvojën e debatit, konkurrimit dhe ballafaqimit të alternativave me elektoratin. Por, sidoqoftë, më lejoni ta mbyll këtë arsyetim duke thënë se po, kur kam drejtuar PS dhe mjaft rrugë institucionale, e kam mirëpritur Edi Ramën si pjesëtar të qeverisë në 1998-n. E kam mbështetur si drejtues të qeverisë së Tiranës që nga viti 2000, dhe e kam mbështetur e nxitur që kur mori teserën për të kontribuar në forume dhe pavarësisht se rrugët, shumë transparente për publikun, janë kryqëzuar me njëra-tjetren, s’kanë qenë ndonjëherë të mbyllura dhe si pjesë të axhendës së paraqitjes së ofertës sime me liderët legjitimë, do të takoj edhe Edi Ramën krahas të tjerëve, kjo pa dyshim.
Përveç paraqitjes së platformës, çfarë do t’i kërkoni konkretisht Edi Ramës? Që të firmosë një listë me 20 deputetë, t’ju nxjerrë si kandidat i Partisë Socialiste apo t’ju mbështesë si kandidat mbi palët, siç ju cilësoi tri javë më parë?
Unë besoj, më falni që e ritheksoj, se dobia e vendit dhe e të gjithëve është që procesi të jetë gjithëpërfshirës, të jetë i hapur për kontribute të të gjithëve, natyrisht të çdo përfaqësuesi politik dhe të jetë transparent, pra në sytë e publikut, sepse sa më konsensual të jetë kryetari i ri i shtetit, sa më e gjerë të jetë mbështetja nga Kuvendi i Shqipërisë i kandidaturës së tij, aq më i madh do të jetë efekti për integrimin dhe klimën europiane. Nga kjo pikëpamje, duke e ritheksuar se identiteti im lidhet me të majtën, vazhdoj t’i kërkoj Partisë Socialiste dhe partive të tjera parlamentare, faktorëve politikë të rëndësishëm, që të konsiderojnë platformën dhe përvojën time, ta konsiderojnë në mënyrë specifike një faktor shtesë. Presidentët e derisotëm s’kanë pasur në CV e tyre të pasur, karrierën ekzekutive si pjesë organike, ndaj unë vlerësoj se është e dobishme që kryetari i shtetit të ketë përvojë qeverisëse gjithashtu. Disa të vërteta që janë imponuar dhe Nano, me 20 e ca vjet përvojë dhe karrierë politike në shërbim të vendit dhe publikut, ka ditur gjithmonë të kultivojë dhe të nxisë një klimë mbipartizane, jo thjesht militante, në dobi të partisë politike që i takon. Patjetër që do të marr nisma që i shërbejnë qetësimit, dialogut politik dhe zgjidhjeve me konsensuse të rëndësishme të problemeve të tranzicionit dhe më lejoni t’i përmbledh të gjitha këto, duke ju rikujtuar një nga sloganet që e kam pasur dhe vazhdoj ta kem për zemër. E kam bindur PS-në të militojë në shërbim të vendit dhe më ka mbështetur me moton “Të lëshojmë pushtet, për të bërë shtet”. Kjo është dhe ftesa ime për të gjithë aktorët politikë në një klimë të ndezur politike.
Nëse kjo nuk ndodh, nëse ju mbështesin të gjithë, e mendoni si mundësi mbështetjen vetëm nga opozita, ndonëse ky diskutim varet thelbësisht nga shifrat?
Një konsensus gjithëpërfshirës për përzgjedhjen e kryetarit do të tregonte maturi dhe përgjegjshmëri në total. Ka një alternativë tjetër, demokratike, që do të dëshmonte maturinë e demokracisë shqiptare, një ballafaqim kandidaturash, me vota dhe ide, por me kusht, në dobi të garës dhe jo të sfidantit, që palët të mos e shndërrojnë në kacafytjen partizane të radhës, me votat dhe veshët të jenë të hapur dhe të lirë për të zgjedhur më të mirën për këtë vend.

SOKOL BALLA