ISMAIL QEMALI, NGA LINDJA NË VDEKJE, MES FOTOSH E KUJTIMESH

Nga Dorjan
Shkruar ne 19 Apr 2012 ora 2:41pm

U prezantua albumi fotografik kushtuar burrit të shtetit.

Historiani Kristo Frashëri sjell shënime, faksimile e gravura që lidhen me Pavarësinë .

Pa hyrë mirë viti, të gjitha aktivitetet kulturore, me apo pa lidhje me historinë, u vunë nën “markën” “Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë”.
Dhe në morinë e këtyre aktiviteteve, vetëm dje u zhvillua një syresh, mirëfilli për përvjetorin e Pavarësisë. Në ambientet e Akademisë së Shkencave u prezantua albumi kushtuar Ismail Qemalit, përgatitur nga historiani Kristo Frashëri. Një vëllim jo shumë voluminoz që përfshin fotografi të Ismail Qemalit, qysh nga vogëlia e deri në vitet e fundit të jetës. Janë përfshirë fotografi familjare e gravura shekullore të sarajeve të Vlorajve. Vetë Frashëri nuk është zgjatur shumë me komente në këtë botim.

 

Ai është mjaftuar me shoqërimin me një parathënie, që e ka shkruar qysh në nëntor të vitit 1962 dhe e ka botuar në gazetën “Zëri i Popullit”. Ai e ka lënë të pacenuar këtë botim dhe ka menduar ta pasurojë albumin e tij me shënime të Ismail Qemalit, telegrame, faksimile dokumentesh të rëndësishme, fjalimesh, Deklaratën e Pavarësisë apo një faksimile të Himnit të Flamurit, firmosur nga Asdreni. Për vlerat që sjell ky album foli nënkryetari i Akademisë së Shkencave, Myzafer Korkuti, akademik Emil Lafe, si dhe i biri i historianit, Gjergj Frashëri, që përcolli përshëndetjet e të atit, i cili nuk ishte i pranishëm. Nga albumi “Ismail Qemali” kemi shkëputur disa copa kujtimesh të Ismail Qemalit nga momente të ndryshme të jetës së tij, nga fëmijëria, te shënimi më i fundit i janarit të vitit 1919.

Ismail Qemali me fëmijët e tij, 1896 

Për t’u dhënë fund intrigave që nxisnin krijimin e trazirave në vend… kërkesa ime për të dhënë dorëheqjen u pranua nga Fuqitë e Mëdha. Anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit më njoftuan se ishin autorizuar nga qeveritë e tyre për të marrë pushtetin, po qe se unë isha i po atij mendimi për dobinë e një hapi të tillë. Pas kësaj u nënshkrua, më 22 janar 1914, protokolli i dorëheqjes. Aty thuhej: ‘Sot, më 22 janar 1914, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit u mblodh në prani të Ismail Qemalit, kryetar i Qeverisë së Përkohshme, i bindur se e vetmja mënyrë për t’u dhënë fund mosmarrëveshjeve dhe anarkisë së përhapur në vend, si dhe për të krijuar një qeveri të vetme për të gjithë Shqipërinë, e cila në gjendjen e tanishme të punëve mund të arrihet vetëm duke dorëzuar pushtetin në dorë të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, i cili përfaqëson Fuqitë e Mëdha’

“Pasi u shkarkua dhe u internua Mithat Pasha… shkova te veziri i madh dhe i kërkova të ndryshonte gjendjen, qoftë duke pranuar dorëheqjen time. Sapo u ktheva në zyrën time, u paraqit një oficer që më ftoi të shkoja menjëherë te ministri i Luftës. Shkova dhe më shoqëruan në sallën e gjyqit ushtarak… qemë tre veta. Pas një pritjeje disaorëshe, një oficer tjetër më njoftoi urdhrin perandorak për t’u nisur menjëherë në Bursë… Atje u morëm vesh se cili prej nesh do të internohej në lokalitete të ndryshme të Anadollit. Për mua ishte zgjedhur Qutahia… Pas shtatë vitesh internimi, mua më liruan dhe më emëruan qeveritar në Mardin (Mesapotamia Veriore)”.

Kopertina e albumit të Kristo Frashërit 

“Sot është ditë vendimtare për Shqipërinë: Do të ngjallemi ose do të vdesim. Sikur të kisha të holla, do të isha hedhur deri në Amerikë për një marrëveshje të plotë me atdhetarët e atjeshëm. Po në marrëveshje me qeverinë italiane, e quaj të nevojshme të shkoj në Romë. Prej andej mund të bëja një marrëveshje me gjithë shqiptarët e Shqipërisë, për të vendosur një aksion kombëtar në një moment kaq kritik e të rrezikshëm dhe të përpilojmë programin përfundimtar. Nga Italia kërkoj të nxis nisjen nga Shqipëria veriore, qendrore e jugore të tre ose gjashtë delegatëve, në mënyrë që së bashku me delegatët që vijnë nga Amerika, të shkojmë në Paris të gjithë së bashku, për t’i propozuar Konferencës së Paqes kërkesat dhe të drejtat e Shqipërisë”. (22 janar 1919)

“Gjatë udhëtimit tim nga Stambolli për në atdhe arrita në Bukuresht, ku ishte një koloni e madhe shqiptarësh. Si pasojë e një mbledhjeje, pesëmbëdhjetë bashkatdhetarë vendosën të vinin me mua në Shqipëri. Unë telegrafova në çdo anë të atdheut për të njoftuar arritjen time të afërt dhe deklarova se kishte arritur për ne momenti për të realizuar aspiratat tona kombëtare. Në të njëjtën kohë kërkova që të dërgohen delegatë nga çdo anë në Vlorë, ku do të mbahej Kuvendi Kombëtar”.