Itali: Makina në kanal, vdes bashkë me shokët i riu kosovar

Nga Dorjan
Shkruar ne 24 Mar 2012 ora 8:43pm

PADOVA, Itali – Përfundon në tragjedi e shtuna që ata vetë e kishin programuar për t’u dëfryer me miqtë. Pesë të rinj, të gjithë të huaj, njëri prej të cilëve kosovar, humbën sot jetën në një aksident rrugor që ndodhi rreth orës 13:00, 40 km në jug të qytetit të Padova-s, Itali. Automjeti me të cilin udhëtonin, përfundoi në një kanal me ujë. Përveç të riut kosovar i cili është identifikuar si Mërgim Kerellaj, viktimat e tjera – të gjithë rreth 20 vjeç – janë një maroken, një boshnjak dhe dy vajza rumune.

Po shkonin të luanin paint-ball, një lojë ku simulohet lufta me pistoleta që qëllojnë plumba gome të mbushur me bojë. Miqtë e tjerë që po i prisnin në destinacion, kur s’po i shikonin të mbërrinin, filluan të bëjnë rrugën mbrapsht, deri sa dalluan makinën e përmbysur në kanal.

Trupat e tyre janë nxjerrur jashtë automjetit (foto) nga polumbarët e zjarrfikësve të zonës. Dyshohet se pesë viktimat kanë gjetur vdekjen për shkak të mbytjes.

Sipas hetuesve, ndoshta për shkak të shpejtësisë së lartë, automjeti ka dalur nga rruga gjatë një kthese në të djathtë. Pasi ka hedhur tutje guardrail-in makina ka përfunduar përmbys në kanalin me ujë. Pozicioni i saj mendohet se ka qenë fatal për fatin e viktimave, pasi uji në kanal nuk është shumë i lartë por mjaftueshëm sa të mbushte pjesën e brendshme të makinës. Të zënë në kurth e me kokë poshtë, pesë të rinjtë e kanë pasur të pamundur për të dale.

Karabinierët po përpiqen të kuptojnë përse makina shkoi drejt dhe nuk ndoqi trajektoren e kthesës, por mesa duket, në të njëjtën pikë kanë ndodhur edhe aksidente të tjera.