Itali, trukimet e ndeshjeve në Seria A, nën hetim edhe një shqiptar.

Nga Dinejda
Shkruar ne 02 Pri 2012 ora 12:42pm

BARI - Bota e futbollit tronditet sërish. Drejtësia italiane ka ekzekutuar urdhërarreste për tre persona, mes të cilëve dhe futbollisti Andrea Masiello, të dyshuar për trukimin e ndeshjeve në Seria A, gjatë sezonit të kaluar. Të arrestuarit e tjerë janë bastexhinjtë, Giovanni Carella e Fabio Giacobbe.

Mediat italiane bëjnë të ditur se mes personave të përfshirë në trukimin e ndeshjeve është edhe shtetasi shqiptar Armand Caca, i cili dyshohet se bënte lidhjet mes futbollistëve dhe bastexhinjve të jashtëligjshëm, duke transferuar shuma të mëdha parash. 

Siç raporton gazeta “Corriere della Serra”, 20 persona janë nën hetim, ku përfshihen edhe disa futbollistë që kanë luajtur me skuadrën e Barit në vitet 2010-2011, Ata po hetohen për trukimin e 9 ndeshjeve të kampionatit italian sezonin e kaluar.

Futbollistët nën hetim janë: Daniele Portanova, Alessandro Parisi, Simone Bentivoglio, Marco Rossi, Abdelkader Ghezzal, Marco Esposito, Antonio Bellavista e Nicola Belmonte.
Në regjistrin e hetimeve përfshihen edhe personazhe të tjerë të njohur në botën e futbollit italian.