Ja fytyra e killerit. Roja: Grabitësi më qëlloi 2 herë, kur hyri e kur doli

Nga Dinejda
Shkruar ne 29 Mar 2012 ora 11:14am

TIRANE – Skënder Elmazi, 53-vjeçari i cili mbeti i plagosur gjatë tentativës për grabitje, ndodhur dy ditë më parë pranë bankës “NBG”, tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe në gjendje më të mirë shëndetësore.

I zhvendosur në një prej dhomave të Spitalit Ushtarak, Elmazi falenderon Zotin që i ka dhënë një jetë të dytë, siç shprehet ai, ndërsa nuk kujton detaje nga ngjarja.
Sipas mjekëve, gjendja e tij është e stabilizuar, por problem mbeten vetëm dy krahët, të cilat tani për tani, 53-vjeçari nuk arrin të komandoj dot, si pasojë e plagëve të marra nga plumbat. 

53-vjeçari nuk pranon të jap detaje nga ngjarja, e cila për pak sa nuk i mori jetën, duke deklaruar se nuk mban mend asgjë, përveç momentit kur është transportuar me një taksi për në spital.

“Nuk mbaj mend gjë nga ngjarja. Vetëm dëgjova krismat dhe u shtriva në tokë nga plaga. Jam goditur dy herë, një herë kur ka hyrë grabitësi dhe një herë kur ka dalë”, – rrëfen Elmazi.

Nderkohe jane zbuluar fotot e autorit të dyshuar të masakrës së ndodhur dy ditë më parë në ambientet e filialit të bankës “NBG” pranë zonës së “Xhamllikut”, ku humbi jetën arkëtarja Leonora Kaloçi dhe u plagos polici i sigurisë, Skënder Elmazi. Pamjet në fjalë janë nxjerrë nga një kamera e sigurisë që ndodhet vetëm pak metra larg filialit të bankës, ku dallohet qartë personi, i cili dyshohet se ka tentuar të grabisë bankën.