Ja tragjedia qe qendron prapa familjes se Edgar Çanit

Nga Dorjan
Shkruar ne 17 Mar 2012 ora 8:26pm

Me familjen ka jetuar pothuajse të gjithë fëmijërinë dhe adoleshencën e tij në qytetin e Elbasanit.

Një prej konkurrentëve më të fortë në edicionin e sivjetshëm të Big Brother është padyshim 52-vjeçari Edgar Çani. Duhet admiruar guximi i tij për të hyrë në një ‘reality show’ që të bën të famshëm brenda një dite e për këtë arsye gjithçka nga jeta private e personazheve deri dikur të panjohur bëhet publike. Një prej historive të para që u bë publike nga jeta e Edgarit ishte divorci i tij nga gruaja e parë. Por po të shkojmë edhe më parë në kohë, miq të hershëm të Edgarit tregojnë një prej historive më të dhimbshme të jetës së një njeriu që duket se i ka ndryshuar jetën jo vetëm Edgarit por të gjithë pjesëtarëve të familjes së tij.

Edgar Cani djali i një inxhinieri elektrik megjithëse i lindur në Tiranë, bashkë me familjen ka jetuar pothuajse të gjithë fëmijërinë dhe adoleshencën e tij në qytetin e Elbasanit. Babai i tij u vendos me punë në ish Uzinën Mekanike në qytetin e Elbasanit, ku bashkë me familjen ai jetoi deri në fund të viteve 1970. Edgari ka pasur një motër më të madhe se vetja, Sonja e cila mesa duket shquhej si një nga femrat më të bukura në qytetin e Elbasanit. Sonja, një prej femrave më të lakmuara të qytetit, përfundoi e martuar me një djalë të cilin ia zgjodhi familja. Nga martesa, motra e Edgarit pati edhe një fëmijë. Por, jeta martesore nuk shkoi mirë për motrën e Edgarit e cila pas shumë pak vitesh martese u vra nga i shoqi. Arsyeja e një prej ngjarjeve më makabre që tronditi jo pak qytetin e Elbasanit asokohe ishte xhelozia e bashkëshortit të Sonjës. Pasi vrau të shoqen, ai vrau edhe veten duke i dalë përpara trenit.
Ngjarja u konsiderua kaq e rëndë për një nga familjet më të ngritura të qytetit sa Edgari në atë kohë ende adoleshent u largua bashkë me familjen. Ngjarja u përfol edhe për shumë vite të tjera dhe u harrua me kalimin e viteve dhe ndryshimin e brezave derisa Edgari u shfaq sërish para syve të qytetarëve të Elbasanit duke rikthyer edhe njëherë në vëmendje historinë e hidhur të familjes së tij.