Juliana Pasha: Do doja të realizoja një program për gatimin.

Nga Dinejda
Shkruar ne 04 Pri 2012 ora 12:45pm

Me një look të ri dhe më energjike se kurrë, Juliana Pasha na ka bërë të gjithëve për vete, teksa është shfaqur si një gjykatëse e denjë në show-n e talenteve “X Factor Albania”. Këngëtarja e dhjetëra hiteve, njëherësh përfaqësuese e Shqipërisë në “Eurovizion”, rrëfen sot, në këtë intervistë speciale për faqet e suplementit të së shtunës eksperiencën e saj në këtë spektakël, e bashkë me të shumë surpriza të tjera, të cilat po jua lëmë t’i zbuloni në vijim të këtij rrëfimi…Si po e përjeton Juljana “X Factor”-in?
Eksperienca e “X Factor”-it deri më tani ka rezultuar mjaft pozitive dhe e veçantë. Jam duke kaluar një periudhë mjaft të ngarkuar, por edhe të bukur njëkohësisht.
Fakti që ende i kam në garë të katërta vajzat e kategorisë sime më lumturon shumë, pasi tregon se puna jonë po shpërblehet nga publiku.
Cilat ishin pritshmëritë tuaja për këtë eksperiencë? Çfarë menduat kur morët ftesën për të qenë pjesë e jurisë?
E kam parë si një eksperience që do të më ishte e vlefshme në karrierën time, si një mundësi për të pasur në ‘CV’-në time artistike diçka ndryshe nga kënga.
Unë personalisht jam munduar të jem pjesë e disa aktiviteteve të ndryshme, që nuk kanë të bëjnë vetëm me këngën, por kanë të bëjnë me artin në përgjithësi. Mendoj se artisti duhet të jetë i gatshëm gjithmonë për eksperienca të reja.
Sa e lidhur jeni me konkurrentet e grupit tuaj?
Jam shumë e lidhur me vajzat! Tashmë janë bërë një pjesë e pandarë jo vetëm e imja, por edhe e familjes sime.
Ju ndodh që të ëndërroni për të ardhmen e tyre në muzikë? E ndjeni peshën e përgjegjësisë te vetja?
Unë do mundohem që të jem mbështetje për to në të ardhmen e tyre më të gjitha mundësitë e mia.
Mendoni që njëra prej vajzave të grupit tuaj do jetë ‘faktori x’ i Shqipërisë?
Mendoj se kam një grup ku duken shumë qartë talentet dhe karakteret e veçantë që kërkohen sot në muzikë, ndaj shpresoj se një nga vajzat e mia mund të jetë fituesja e “X Factor”.
Kush do e fitojë “X Factor”?
Më i miri, më i veçanti, ai/ajo që publiku do ta dojë deri në fund.
Keni filluar ta ndjeni konkurrencën me grupet e tjera?
Sigurisht që ka konkurrencë mjaft të fortë, pasi talentet nuk mungojnë dhe janë të vërtetë, realë nga fillimi deri në fund.
Po midis kolegëve të jurisë ka konkurrencë?
Unë bashkë me kolegët e mi jemi munduar çdo ditë t’u japim konkurrentëve gjithçka nga vetja, duke filluar që nga eksperienca jonë e deri tek teknikat e të kënduarit, që shumë këngëtarë profesionistë në Shqipëri ende nuk i njohin. Puna jonë fillon në të mësuarin e konkurrentëve e deri tek mbrojtja e tyre.
Ju ka ndodhur që dikush nga kolegët t’iu bëjë me nerva me komentet që ka bërë kundrejt njërës prej vajzave të grupit tuaj?
Së pari, kemi të bëjmë me një show gjigant, ku replikat janë të domosdoshme dhe të arsyetuara mirë. Së dyti, paneli i jurisë përbëhet nga artistë që jo vetëm e njohin muzikën, por edhe kanë eksperienca të ndryshme gjithsecili, ndaj mendimi i tyre është i vlefshëm në çdo rast.
Ka ndodhur ndonjë konflikt midis jush? Ka gjasa të ndodhë?
Jo, aspak, dhe nuk besoj se do të ndodhë në asnjë moment.
Ju ka mbetur ndonjë peng për sa i përket përzgjedhjeve? Jeni penduar për ndonjë konkurrent, që nuk e morët me vete?
Jam e bindur se kam bërë përzgjedhjet e duhura edhe pse për mua ka qenë tepër e vështirë, pasi kategoria e vajzave ka qenë ndër kategoritë me më shumë talente dhe më e vështira.
Nuk është hera e parë që ju jeni pjesë e një jurie të rëndësishme. Kujtojmë këtu “detyrën” që kishit në edicionin e tetë të “Top Fest”. Ju pëlqen ky rol? Është më shumë i vështirë, apo i bukur?
Absolutisht që është një rol që ka një përgjegjësi të madhe. Është sa e vështirë aq edhe e bukur të jesh pjesë e një jurie, por në “X Factor” është shumë më tepër se vetëm një juri që duhet të përzgjedhë fituesin e një festivali. Secili nga ne ka krijuar një lidhje të veçantë me çdo konkurrent dhe përpara se të jemi konkurrentë dhe juri, ne të gjithë bashkë jemi një familje e madhe.
Përveç vokalit të këngëtarit, ku bazoheni tjetër për të dhënë një vlerësim ose për të marrë një vendim? Çfarë nuk duhet t’i mungojë një ‘faktori x’?
Sigurisht që të kesh ‘factorin X’ duhet:
1. Të kesh vokalin.
2. Të kesh ndjeshmërinë artistike.
3. Të jesh unik dhe i dallueshëm.
4. Të dish të performosh në skenë.
5. Ta bësh publikun për vete
Etj. etj. etj…
Sa e vështirë është të zbulosh talentet në Shqipëri?
Për mua ka qenë një çudi, por edhe një kënaqësi, që në të gjithë fazën e audicioneve kam dëgjuar shumë talente nga e gjithë Shqipëria. Është e vërtetë që jo të gjithë mund të bëhen këngëtarë, por është shumë e rëndësishme që njeriu të dijë të këndojë, pasi jo vetëm që e zbukuron jetën e tij, por e pasuron atë me një kënaqësi të veçantë. Ne jemi një vend i vogël, por e them me bindje të plotë, se talentet nuk do të mungojnë asnjëherë.
Kur punoni me vajzat e grupit tuaj, besojmë se iu kujtohen edhe fillimet tuaja në rrugën e këngës…Cila është këshilla që iu jepni më shpesh?
Absolutisht që po! Unë bazohem shumë në fillimet e mia, pasi janë ato që më kanë sjellë këtu ku jam sot.
Këshilla ime e vetme është që edhe pasi “X Factor” të mbarojë ato të krijojnë personalitetin dhe karakterin e tyre në muzikë, të jenë të dallueshme, profesionale dhe të vërteta, pasi e vërteta nuk vdes kurrë.
Për çfarë i kritikoni më shumë?
Për mënyrën sesi duhet ta ruajnë veten e tyre dhe të kujdesen gjithmonë për vokalin.
Pas mbarimit të kësaj eksperience, ku do përqendrohet puna juaj? Kemi dëgjuar se po përgatitni dhe një album, apo jo?
Për momentin nuk dua të them se do bëj këtë apo atë, pasi ndonjëherë planet nuk të realizohen dhe më pas publiku zhgënjehet nga deklaratat tona dhe humbet besimin, ndaj po ju them ‘No coment’.
Jeni një këngëtare që nuk realizoni shpesh videoklipe, ndërkohë që në tregun muzikor shqiptar kjo është moda e momentit. Pse kjo zgjedhje?
Pasi nuk e shoh realizimin e një videoklipi si modën e momentin, por si një nevojë për të promovuar këngën e re apo albumin e ri të një artisti, prandaj do të bëj videoklip vetëm kur të kem për të promovuar diçka të re.
A do të donit t’i ndryshonit diçka këtij “tregu”? Pse?
Ndonjëherë po, por nuk kam ndonjë arsye të veçantë. Mendoj se publiku shqiptar meriton më shumë përkushtim dhe respekt nga një artist, sesa thjesht disa këngë që bëhen sa për të dalë me një videoklip e për t’u bërë i famshëm.
Kur do dëgjojmë një këngë të re nga ju?
Shpresoj se me mbarimin e “X Factor” do të kem mundësinë të nxjerr në tregun muzikor një këngë të re, por jam ende në punë e sipër, ndaj nuk mund të them më tepër detaje.
Programet e mirëfillta muzikore në Shqipëri janë pak. Nëse do donit të realizonit një të tillë, si do ishte ai?
Në fakt, i vetmi program që unë do doja të realizoja nuk ka lidhje fare me muzikën, por me gatimin dhe kuzhinën, por me shumë mundësi mund të alternoja dhe muzikën me gatimin së bashku. Kjo është një dëshirë e imja, që mbase një ditë mund ta marr seriozisht dhe ta realizoj.
Në fund, do donim të dinim mendimin tuaj lidhur me “faktorin X” në fusha të tjera, duke qëndruar në Shqipëri…Sipas jush, kush e ka “faktorin X” në politikë, në televizion dhe në art?
Nëse unë do filloj të përmend emra, jam e bindur se vetëm me politikën nuk do mjaftonin faqet e Gazetës.