KAM ZBULUAR SËMUNDJET GJENETIKE TË SHQIPTARËVE

Nga Dorjan
Shkruar ne 24 Apr 2012 ora 2:34pm

Është ai që krijoi për herë të parë Qendrën e Diagnostikës Molekulare dhe Kërkimeve Gjenetike në Shqipëri. Që zbulon mutacionet e ADN-së, parandalon lindjen e fëmijëve me defekte gjenetike, gjen atësinë apo autorësinë, duke ndihmuar individët, policinë, gjykatat në përmirësimin e jetës, punës së tyre. E ngriti këtë shërbim nga thuajse hiçi në vitin 2004. Duke u bërë një nga gjenetistët e paktë e të parë shqiptarë, që nismoi ngritjen e laboratorit të parë në këtë fushë. Por për të mbërritur deri në këtë sukses të pazakontë ka pasur dhe një fazë të pazakontë në jetëshkrimin e tij. Ka qenë bursist i qeverisë italiane në vitin ’79, në kohën kur daljet jashtë, dhe aq më tepër bursa të tilla, imagjinoheshin të pamundura prej “vendeve borgjeze’, sot të BE-së, për Shqipërinë komuniste.

E jo një specializim i vogël, por plot gjashtë vjet shkollë në ‘La Sapienza’ në Romë, e mbështetur me bursë. Zgjodhi vetë të studiojë klonimin e gjeneve, klonimin molekular, inxhinierinë gjenetike, analizën e ADN-së, gjëra krejtësisht fantashkencë, të panjohura, të parakohshme në Shqipërinë që kishte lënë pas. “Qeveria jonë atë periudhë nënshkroi disa marrëveshje arsimore, kulturore me disa vende si Italia, Franca, Austria dhe Suedia. Në brezin tim ishim një grup prej 50 vetësh, 12 prej të cilëve për në Itali, tetë studentë dhe katër pasuniversitarë”, kujton sot gjenetisti molekular, Grigor Zoraqi. Studimet një ditë mbaruan. Për Grigorin me 110 laude, maksimumi. Në vitin ’85 kthehet në Tiranë.

Pas punës si pedagog i gjenetikës në Fakultetin e Veterinarisë në Insitutin Bujqësor të Kamzës, doktoraturës dhe ngritjes së një laboratori si ai që kishte lënë në Romë, -falë fondeve të FAO-s, meqë Shqipëria ishte anëtare e OKB-së, – ku bënte kërkime gjenetike te kafshët, mbërrin viti ’91. Kontaktet që mbante me profesorin e tij në Romë bënë që të fitonte një bursë 6-mujore atje prej Këshillit Kombëtar të Kërkimeve. Pasi disa bursave dhe kontratave pune kërkimore deri me Insitutin e Lartë të Shëndetit, për gati njëzet vjet Grigor Zoraqi studioi e punoi në Itali.

Aty u mor me pjesën molekulare të njeriut, me kromozomet artificiale dhe ndërtimin e tyre. “Por një ditë vendosa të kthehem në atdhe, jo sepse mërzitesh me Italinë, por vjen një moment që do të punosh në mënyrë të pavarur, të mos jesh pjesë e një grupi, qoftë edhe kur bën punën më të bukur, atë kërkimore”, rendit arsyen e parë. Arsyeja e dytë lindi pas takimit me një gjinekolog shqiptar në Romë, gjatë një konference. “Referoi se në Shqipëri nuk kishte as edhe një laborator për diagnostikimin dhe parandalimin e sëmundjeve gjenetike, por vetëm konsulenca, dhe mua më erdhi turp”, tregon gjenetisti.

Ndaj, në vitin 2003, Grigor Zoraqi paraqiti projektin dhe në 2004-ën laboratori në Tiranë arriti u përurua, bashkë me rikthimin e tij. I janë mbushur tetë vjet që atëherë. A ndihet i papenduar?  “Ndërtuam diçka që nuk ekzisonte. Puna jonë, ime, ka ecur përpara, edhe pse s’jam i kënaqur, siç prisja. Mendoja një zhvillim më të shpejtë, isha mësuar me tjetër ritëm, por në një realitet si Shqipëria kemi bërë maksimumin. Çfarë mbetet mangut, varet nga niveli i shërbimit publik, niveli i informimit të mjekëve, njerëzve. Do doja të fusja farmakogjenetikën, nutrigjenetikën, testet parandaluese falë gjenetikës të sëmundjeve kardiovaskulare apo kancerit, por për fat të keq ende këto nuk bëhen”…

 

“Shqiptarët, me mutacione gjenetike”

“Çdo popull ka sëmundjet e tij specifike gjenetike. Shqiptarët nuk kanë sëmundje të veçanta, por kanë mutacione të veçanta për sëmundje të caktuara. Shqiptarët dallohen për mutacione të fibrozës cistike. Kjo specifikë nuk krijohet në pak kohë, dmth nuk mund të jetë krijuar nga ndotja e mjedisit, edhe pse ndotja mund të ndikojë në të tjera aspekte, edhe në AND, pavarësisht se nuk ka parametra që e masin.”

Jeta

Mosha: 53 vjeç

Vendlindja: Tiranë

Vendbanimi: Tiranë

Arsimi: Gjimnazi ‘Petro Nini Luarasi’, Universiteti ‘La Sapienza’, Romë si bursist i Qeverisë Italiane në vitin ’79-’85 për Shkenca Biologjike, me drejtim Biologji Molekulare. Nga 1987-1991 doktoraturë në Laboratorin e Gjenetikës së Fakultetit të Veterinarisë, Universiteti Bujqësor i Tiranës. Fiton titullin Kandidat i Shkencave (më vonë i njohur si Doktor i Shkencave) në shtator 1991. Në 2007 ka marrë titullin Profesor i Asociuar.

Përvojë profesionale: Kërkues shkencor në Departamentin e Mjekësisë Eksperimentale dhe Patologjisë së Përgjithshme të Universitetit të Romës “La Sapienza”, në Institutin e Teknologjisë Biomjeksore, në tre laboratorë dhe në Qendrën Kombëtare të Sëmundjeve Gjenetike në Itali. 2004-vazhdim, gjenetist dhe drejtues i Qendrës së Diagnostikës Molekulare dhe Kërkimeve Gjenetike tek “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë. 2005-vazhdim, pedagog i jashtëm në Fakultetin e Shkencave Natyrore, UT. Nga viti 2007, anëtar i Bordit Editorial të revistës, Balkan Journal of Medical Genetics