KAPEN 2 TONË DROGË NË SARANDË

Nga Dorjan
Shkruar ne 27 Apr 2012 ora 2:49pm

Sekuestrohen pranë Sarandës 2 tonë kanabis sattiva, që po tentohej të ngarkohej në një gomone për t’u trafikuar drejt Greqisë.
Operacioni i policisë nisi në orën 23:55 të së mërkurës, kur Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare në Durrës ka njoftuar për një mjet lundrues të dyshimtë që po futej nga Kanali i Korfuzit për në ujërat territoriale shqiptare, në drejtim të brigjeve veriperëndimore të Sarandës. Forca të shumta policore, nën drejtimin e shefit të Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, Kastriot Skënderaj, janë nisur drejt zonës, duke krehur bregdetin nga Gjiri i Kasolles e deri pranë Sarandës. Pikërisht në këtë të fundit, policia është përballur me një kamion e tre shtetas, të cilët po nxirrnin prej saj thasët me drogë për ta ngarkuar në gomonen që sapo ishte ankoruar në breg. Sapo kanë vënë re forcat policore që po afroheshin në zonë, drejtuesi i gomones ka ndezur motorët e është larguar për në drejtim të Kanalit të Korfuzit, ndërsa tre personat që ndodheshin pranë kamionit janë larguar duke përfituar nga errësira. Burime të Policisë bënë të ditur se me sa është parë më sy të lirë, gomonia ka qenë rreth 15 metra e gjatë dhe e pajisur me dy motorë. Ndërkohë, në vendngjarje policia ka gjetur mjetin tip “Mercedes-Benz”, kamion-frigoriferik, me targa VL 22 69 C, i ngarkuar cep më cep me çanta e thasë me kanabis sativa. Pas peshimit, malli rezultoi se ishte rreth 2 tonë, sasia më e madhe e sekuestruar gjatë këtyre kohëve nga Policia shqiptare. Veç Policisë Kufitare në Sarandë, operacionin e kanë asistuar dhe Policia e Rendit dhe forcat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë. Për shkak se kemi të bëjmë me trafik ndërkombëtar të drogës, dosja është marrë në hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se droga dyshohet se është kultivuar në Lazarat. Mbrëmjen e së mërkurës, malli ka dalë nga fshati dhe ka kaluar nga rajoni i Gjirokastrës për në Sarandë nëpërmjet rrugëve rurale, pa kaluar në aksin nacional. Policia e Vlorës bëri të ditur se ka shoqëruar tre persona, njëri prej të cilëve dyshohet se është pronar i mjetit. Nga hetimet e kryera rezultoi se targa e mjetit frigoriferik është false, çka ka hedhur dyshimet se mjeti ka kryer edhe më parë transport të lëndës narkotike.