Kastriot Malaj, rekordmeni i hedhjes së shtizës me 72 m, ende i pathyer

Nga Sage
Shkruar ne 08 Qer 2011 ora 4:43pm

“Atletika në Vlorë ka zënë myk, terrenet janë dëmtuar”

Një burrë i qetë dhe tepër energjik. Kur flet për sportin e hedhjes së shtizës, sport për të cilin ai sakrifikoi rininë, psherëtin! Këtë ofshamë e nxjerr pa dashur, pasi sot sporti për të cilin ai ka qenë për 13 vjet rresht rekordmen, nuk ka atë popullaritet dhe atë përkujdesje. Sipas tij, sot nuk ka atletë të këtij sporti, kur bota e quan dhe e ka një ndër sportet prioritarë. Ëndrra e tij ka qenë të kalonte të 80 metrat, por një dëmtim në parakrahun e dorës së djathtë, bëri që ajo të mbetet e parealizuar.

Kur keni filluar për herë të parë në hedhjen e shtizës?

Në Vlorë në vitet 1974 dhe e kam mbaruar karrierën sportive në vitin 1994. Pra afërsisht 20 vjet, ose më mirë dy dekada të plota thuajse rekordmen në të gjitha këto vite. Vlora mi dha të gjitha mundësitë për të ecur në këtë sport pak të njohur, por që publiku vlonjat diti ta vendosë në vendin që i takon. Ky lloj sporti është një sport burrëror.

Cilat janë disa nga rezultatet që keni arritur?

Rekordi mbahet nga unë, të cilin e kam arritur në vitin 1980 në Mitrovicë. Kam qenë në Mitrovicë ku kam marrë pjesë në aktivitetin midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe për herë të parë theva rekordin e shtizës të mbajtur nga Nevrus Sheshi, i cili e kishte thyer në Shangai në vitin1973. Në vitin 1980 unë e theva rreth 1 metër, pasi ai ishte 69.70m dhe unë kalova barrierën e 70 metërshit për herë të parë. Mbaj mend se shefi i federatës më ka pritur në kufi midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe më ka thënë se: “…Tani bie era shtizë, sepse ju e kaluat për herë të parë 70 metërshin”. Por 70-metërshi, ishte një rezultat i kënaqshëm edhe për Ballkanin.

Kush ka qenë rezultati juaj i fundit?

Rezultati im i fundit është i vitit 1981 ku kapa 72 metra në Elbasan. Plot 13 herë rresht, unë jam shpallur kampion kombëtar, një rekord me vete. Besoj se nuk mund të thyhet.

Po në gara ndërkombëtare, çfarë rezultati keni arritur?

Në gara me turqit mund të lija kampionin e Turqisë 12 metra. Ai 57 dhe unë mbi 72 metra. Në arenën ndërkombëtare nuk vazhdova më, sepse bëra një tërheqje në parakrah mbas këtyre rezultateve. Unë kohët e fundit e vazhdova sportin vetëm për inerci. E ruaja sportin në distancë.

Sot, a është thyer rekordi juan i 72 metrave?

Jo akoma. Kanë kaluar 30 vjet dhe ky rezultat është stampuar me 72 metra. Askush nuk ka mundur t’i afrohet dhe jo më ta thyej në Shqipëri. Kjo më bën jo aq krenar e të gëzuar, sepse sporti do konkurrentë, do duel. Më duket se ky sport ka fjetur dhe mua ato medalje sikur nuk më zënë vend.

E ushtrojnë disiplinën e hedhjes së shtizës fëmijët tuaj, dhe ju, vazhdoni të jeni trajner?

Kam ngel i vetëm në këtë sport. Por, sot, unë jam trajner i Flamurtarit dhe mundohem që ta mbaj pishtarin e atletikës lart. Bëj me dije, se aktualisht terrenet sportive në Vlorë janë dëmtuar dhe nuk mund të arrijë rezultate. S’ka bazë materiale, s’ka kujdes dhe interesim nga shteti. Gjithçka sikur ka zënë myk.

Aktualisht në Shqipëri, kush ka rezultate më të mira në këtë sport?

Aktualisht është hedhur shtiza me 52 metra nga një shkodran. Është shumë larg nga rekordi që unë kam vendosur në vitin 1981. Është një garë shumë delikate dhe kërkon shumë kushte, është me naze. Duhet të kesh edhe një buxhet që të mbash këtë lloj shkopi.

Ç’do të thoni në aspektin kohor për këtë sport?

Është një sport burrëror, një sport i lashtë sa dhe koha. Një sport që bashku me hedhjen e diskut, e që ka zënë vendin e tij të rrallë në Lojërat Olimpike që në lashtësi

Pengu i karrieres suaj ?

“Pengu më i madh i imi ishte se unë preferoja që të kapja rezultate mbi 80- metra. Pra, ta arrija këtë largësi. Por ndodhi ajo që ju thashë më lart, sepse unë doja të bëja vetëm 3-4 vjet shkollë të lartë që më kishin mbetur që të kapja barrierën e 80 metërshit. Më vjen keq se edhe ky sport i bukur i atletikës po gjendet i vetmuar në këto 20 vjet. Disa gara, si çekiçi, por edhe disiplina të tjera kanë ngelur në vend numëro. Unë po mundohem me mish dhe me shpirt që të ngrejë një ekip të mirë te Flamurtari, por akoma nuk po më vijnë ashtu siç duhet”.

Rekordi i pathyer ?

Në vitin 1981, Kastriot Malaj e hodhi shtizën në 72 metra largësi, rekord kombëtar ky që nuk është thyer ende në Shqipëri.

Nga Albert ZHOLI