Katër gardistë të dehur kërcënuan në spital, shoqërohen në polici.

Nga Dinejda
Shkruar ne 26 Maj 2012 ora 4:23pm

TIRANE-Një ngjarje e pazakontë është regjistruar dy ditë më parë në ambientet e Spitalit Ushtarak në Tiranë, ku katër efektivë të Gardës së Republikës në gjendje të dehur kanë ofenduar dhe kërcënuar personelin mjekësor të këtij spitali.

Ngjarja në fjalë mësohet se është regjistruar rreth mesditës së djeshme, kur ka qenë një prej Kolonelëve të Policisë Ushtarake, që ruan ambientet e Spitalit Ushtarak, i cili ka njoftuar në lidhje me këtë ngjarje. Burime nga blutë e kryeqytetit bëjnë të ditur se rreth orës 16:45 në ambientet e Spitalit Ushtarak janë paraqitur katër persona të Gardës të dehur, të cilët kërcënonin dhe ofendonin punonjësin e shërbimit tek Urgjenca. Bëhet e ditur se 4 efektivët e Gardës së Republikës, pasi kishin konsumuar sasi të mëdha alkooli, kishin shkuar për të marrë serume në Spitalin Ushtarak. Ndërkaq, menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e Komisariatit nr.3 në Tiranë, ku kanë bërë të mundur shoqërimin e tyre. 

Katër efektivët e Garës kanë qëndruar për disa orë në ambientet e Komisariatit nr.3, e më pas kanë qenë zyrtarë të Gardës së Republikës, të cilët kanë marrë në dorëzim dosjen në ngarkim të tyre. Burime nga blutë e kryeqytetit bëjnë të ditur se tashmë hetimi në ngarkim të tyre i ka kaluar Gardës së Republikës, e cila do të vendosë në lidhje me dënimin që do të marrin katër efektivët, të cilët në gjendje të dehur kërcënuan dhe ofenduan personelin e Spitalit Ushtarak.