Këngët e Maleve të mia

Nga Sage
Shkruar ne 11 May 2011 ora 1:24pm

Prolog.

Kënga popullore është përjetësi. Një popull që nuk këndon vdes. Pa mushkritë e këngës popullore shpirti ynë do të ish më i varfër, më i thatë dhe ne do të na dukej ajri më i rrallë. Do të ndjenim vapë pa këtë gurgullimë të përjetshme që na i bën jetën më të butë dhe më me dritë. Në këtë thesar shkëlqen si një margaritar kënga labe, kjo kryevepër e kuturës së popullit shqiptar, të cilën Unesko, kjo seli e mëndjes që zbulon vlerat e derisotme të njerëzimit, e pikasi, e shpalli monument të rrallë të kulturës botërore dhe e mori në mbrojtje. Ne kemi të drejtë të krenohemi që jemi krijuesit e njërës prej mrekullive të kësaj bote.

Fan Noli, një nga mendjet më brilante të letërsisë shqiptare, në fund të jetës, duke shkruar testamentin e tij la amanet ta varrosin me një këngë labe të kënduar nga labër safi.

Sepse e di që ajo të bën të përjetshëm… Në këngën labe, e lashtë deri në mjegull, njerëzit përpara se të bashkojnë zërat, duhet të bashkojnë njëherë zemrat, fymën e tyre, të këndojnë si një mushkri e vetme e një njeriu. Me këtë këngë janë krijuar disa prej monumenteve më të ndritur të kulturës sonë shqiptare, duke filluar nga “Legjenda e urës” ku muroset një grua e deri tek “Vajza e valëve“ të cilat do të kemi fatin t’i dëgjojmë së bashku. Po cilët janë bilbilat që do të bashkojnë zërat e tyre të rrallë sot?

Midis atyre që po e mbajnë të gjallë dhe e çojnë më tej magjinë e këngës labe vjen sot në këtë koncert një zë drithërues i këngës labe, Mimoza Kosturi.

Pasi ka mbaruar studimet e larta në Akademinë e Arteve, në klasën e kantos më 1992 dhe ka dhënë një sërë koncertesh, ajo e ndjen se herë pas here duhet t’u kthehet rrënjëve të saj të origjinës për t’u ndjerë e plotë dhe e mbushur me dritën e këngëve labe. I ka provuar dhe kënduar ato të përpunuara në koncerte të bukura e të suksesshme brenda sallave tona muzikore dhe jashte Shqipërisë, të shoqëruara me orkestra, kore dhe instrumente të praruar. Por me sa duket, asnjëherë nuk është ndjerë aq e plotë se sa në këngën e mirëfilltë të vendlindjes e të nënës së saj, edhe kjo një këngëtare e shquar e një kënge të bujshme të viteve ’70. Prandaj ajo mbledh pranë vetes disa nga bilbilat e këngës labe dhe vjen me ta para nesh në këtë koncert, për të shpalosur disa nga perlat e thesarit të këngëve tona.

Le të njohim tani kush janë ata së bashku me të krijojnë frymën e këtyre këngëve të mëdha.

Hyso Xhaferaj-  Një pritës me zë të rrallë, në dhjetra këngë të mrekullueshme që tashmë janë pjesë e fondit tonë të artë të këngës popullore, solist i Ansamblit Popullor.

Mehmet Visha, kthyes, një tjetër këngëtar i njohur për talentin e tij të rrallë, solist i grupit polifonik “Ergjëria”

Në iso Aleksander Rrapi, dhe Andrea Doci, solist i Ansamblit Popullor, si dhe këngëtari Neil Ruçi dhe Hasim Meli.

Udhë e gjatë më kish marrë,

Gji e zemër më kish tharë

Nënë, moj e mira nënë…

Det i thellë e i pamatur dhembshurie,

Sa më prite atë natë, ti e dije,

Erdha të gjeta të gjallë,

Të putha gjirin e tharë,

Po dot nuk ta nxorra mallë-ë

Nënë, moj e mira nënë…

Një këngë e thekshme për nënën që emigranti e ka lënë pas duke marrë rrugët e botës. Atje larg ajo dhe vetëm ajo., nëna e shtrentë i rri ditë e natë në qiellin e mendjes. Dhe tani ai po vjen, i zhuritur nga malli për të. Rruga deri tani duket e pafund…Është apo ajo gjallë? Një këngë drithërimë që noton nëpër kujen e madhe tek zemra e përvëluar. Vetëm kënga labe mund ta nxerë brenda saj kaq dhimbje. Dhe duhet zëri i një këngëtareje si Kosturi me shokët e saj të na bjerë një emocion kaq të paharrueshëm.

Nga: Albert ZHOLI