KËRCËNOI DREJTORESHËN E AUTORITETIT SHËNDETËSOR, NË PRANGA I KALLËZUARI

Nga Dorjan
Shkruar ne 17 Pri 2012 ora 2:22pm

TIRANE – Kapet në Dibër një person i kërkuar në kryeqytet me akuzën e kanosjes për shkak të detyrës. Oficerët e Policisë së Tiranës arrestuan dje në Dibër Ismet Koltrakën, i cili disa ditë më parë ishte denoncuar në Komisariatin Nr. 1 për kanosje nga drejtoresha e Autoritetit Shëndetësor Rajonal, Liljana Ramasaço. Policia kishte nisur hetimet për ngjarjen, madje edhe kishte shpallur në kërkim Koltrakën që prej datës 11 prill, kur Ramasaço kishte depozituar kallëzimin, por ai nuk është gjetur në shtëpinë ku banon prej disa vitesh, në Unazën e Re. Ramasaço e ka denoncuar Ismet Koltrakën për kanosje duke e akuzuar se e ka kërcënuar seriozisht për jetën, fillimisht në zyrën e saj, më pas nëpërmjet telefonit. Megjithatë, në asnjë moment ai nuk ka përdorur armë apo ndonjë objekt tjetër që mund të vinte në rrezik jetën e drejtoreshës Ramasaço. Në denoncimin e saj në polici, Liljana Ramasaço pretendonte se personi që akuzon është babai i një ish-punonjësi të institucionit që ajo drejton. Sipas saj, kërcënimi i fundit ka ndodhur ditën e martë, ndërsa disa ditë më parë Koltraka është paraqitur në zyrën e saj, në Drejtorinë e Autoritetit Shëndetësor, te rruga “Mihal Grameno”, duke e fyer dhe kërcënuar. Arsyeja e kërcënimeve të vazhdueshme nga ana e këtij personi, sipas drejtoreshës Ramasaço, ka qenë shkarkimi i djalit të tij nga puna. Ajo ka shpjeguar në polici se djali i 54-vjeçarit që e kërcënon është Myslim Koltraka, i cili ka qenë i punësuar si stomatolog dhe ai është larguar nga Drejtoria e Autoritetit Shëndetësor duke qenë se i ka mbaruar kontrata e punës. Sipas saj, ai ka qenë i vetëdijshëm për përfundimin e kontratës dhe që mosrinovimi i saj do të sillte shkarkimin e tij nga puna, madje nuk ka pasur ndonjë pretendim në lidhje me vendimin e drejtoreshës. Por babai i tij e ka parë këtë vendim si tendencioz dhe ka vendosur t’i kërkojë llogari Liljana Ramasaços, duke kërkuar takim në zyrën e saj. Gjithashtu ai ka pretenduar edhe përballë saj, edhe në polici, se djalit të tij nuk i është lejuar të bëjë kërkesë për rinovim kontrate. Sipas Koltrakës, në vendin e punës ku ka punuar i biri është emëruar një tjetër person, pa iu dhënë mundësia e rinovimit të kontratës Myslim Koltrakës.