Kërko që të marrësh

Nga Reporter
Shkruar ne 11 Gus 2012 ora 11:29am

Të gjithë të rinjtë sot në Shqipëri duan një punë, një strehë, një vend në shoqëri. Por duhet thënë se disa i duan dhuratë, t’u bien nga qielli ose t`u shfaqen me shkop magjik. I shohim kafeneve gjysmën e ditës, duke lënë t’u shkasë nëpër duar koha, e cila është gjëja më e çmuar. Disa i shohim tek përpiqen të kopjojnë drejtuesit e këtij vendi, duke mësuar teknika mashtrimi për të çarë e arritur diku, ndjekin drejtues politikë nëpër fushata mashtrimesh, me shpresën se do t’u rregullojnë ndonjë punë. Rinia ankohet për punë, shpesh akuzojnë politikën e njëri-tjetrin në bazë të krahinave, dialektit e përkatësisë fetare. Kërkojnë ndryshim, cilësi jetese, punë të lehtë me lekë shumë. Kjo tingëllon patetike!!! Se si është ky vend e dimë të gjithë. Dikush e pranon, dikush ka frikë ta pranojë, dikush s`ka interes ta pranojë.
I dimë të gjitha: vrasjet, vjedhjet, mashtrimet, korrupsionin. Por, justifikimi se kjo është mendësia këtu e s`ka për të ndryshuar ky vend, pasqyron frikën dhe mungesën e guximit për të vepruar. Shumë të rinj kanë dalë jashtë vendit, kanë parë Europën e Amerikën. Kanë njohur mijëra shembuj të guximit për ndryshim nga miliona të rinj në gjithë globin, nëpërmjet medias, librave, filmave, rrjeteve sociale etj.

Nuk mendoj se duhet protestuar dhunshëm, siç bëjnë të rinjtë e guximshëm e revolucionarë italianë, francezë e britanikë, duke thyer dyer e zyra institucionesh kur një ligj i vetëm u cenon të drejtat e tyre. Por ama, a janë të padurueshme dhe si mund të qëndrosh indiferent ndaj rasteve të hapura të korrupsionit, realitetit të vrazhdë, përballjeve të përditshme torturuese me institucionet arrogante të administratës publike, shkatërrimit të gjelbërimit, nepotizmit dhe klientelizmit në qeveri?

Është revoltues fakti që vendet e punës zihen nga njerëz pa arsim, me gjysmë-diploma apo me diploma të rreme. Ka një rregull themelor në shoqërinë njerëzore, i qartë e i nevojshëm për të vënë në lëvizje shoqërinë: “Kërko që të marrësh”. Të rinjtë e këtij vendit po nuk vepruan, duke mos ndenjur më duarkryq, do të mbeten pre e manipulimeve që do t’u bëhen në interes të “elitave” kleptokratike. Unë ende e kam një fije shprese se diçka mund të bëjmë, diçka mund të ndryshojmë.

Shqiptarit nuk i mungon guximi dhe shpirti i sipërmarrjes (ka me mijëra shembuj suksesi të bashkatdhetarëve tanë në vende ku ky shpirt  i sipërmarrjes është i lirë). Po, së pari, të rinjtë duhet të mësojnë të zemërohen, të revoltohen e të protestojnë kundër paaftësisë, padrejtësisë, vjedhjes, dhunës, mashtrimit. Këtu fillon rruga drejt të një ardhmeje më të mirë, më të drejtë, më demokratike. E pastaj duhet të punojmë, të punojmë shumë…