Kinema, Viti Zero

Nga Dinejda
Shkruar ne 07 Qer 2012 ora 5:02pm

TIRANE - Kanë kaluar më shumë se 35 vjet që kur Alfred Hitchock drejtoi filmin e tij të fundit, Family Plot (Komplot Familjar) (1976). Në dekadat në vazhdim, rëndësia e tij në kinematografi nuk është venitur. Mjeshtër i suspancës, ai ishte një artist i talentuar, besnikëria e të cilit ndaj thënies trego por mos fol e çoi atë drejt niveleve të larta të kompleksitetit duke e përpunuar stilin e tij unik kinematografik. Leksioni im për filmat e Hitchock-ut në Universitetin e Arteve më dha mundësinë për të shprehur pasionin tim për një vepër të tërë pune, apeli i së cilës është universal. 
Shembuj të madhështisë Hitchock-iane janë të shumtë. Në kryeveprën e tij të hershme The Lodger (Banori) (1926), ai ndërtoi një dysheme prej qelqi mbi të cilën heroi i filmit luajtur nga kantautori i njohur Ivor Novello mund të ecte. Hitchock-u do të filmonte nga poshtë xhamit duke nxjerrë në pah nervozizmin e personazhit. Ndërsa oficeri i policisë luajtur nga James Stewart u var nga ana e një ndërtese në sekuencën e hapjes të filmit Vertigo (1958), Hitchock-u përdori Dolly Zoom një teknikë që u bë mjaft e famshme, ku kamera në të njejtën kohë afron/zgjeron dhe largohet. Të krijon përshtypjen e një sfondi që shtrihet larg nga plani i parë, duke luajtur me frikën që Scotty ka nga lartësitë. Më pas, kemi skenën e dushit në Psycho (1960), ndjekjen e spërkatësit të të mbjellave te North by Northwest (Veri nga Veriperëndimi) (1959), sekuencat e ëndrrës të frymëzuara nga Dalí në Spellbound (I magjepsur) (1945) dhe përdorimi ekspresionist i ngjyrës së kuqe në filmin e fundit më të madh të regjisorit Marnie (1964). Në çdo film, Hitchock-u e rriste tensionin nëpërmjet risisë.
Hitchock e krahasoi ndjesinë e të shikuarit të një filmi me të njëjtën ndjenjë kur ndodhesh në një karusel. Ai e shijonte faktin kur e çon audiencën me shpejtësi drejt një humnere, dhe tërhiqet vetëm në momentin e fundit. Çlirimi i tyre që “shpëtuan” është e përzierë më një ndjesi gëzimi, që vjen së bashku me emocionet e përjetuara. Kontrolli i tij i plotë mbi mënyrën se si ai e shkëpuste suspancën nga një skenë, ngre lart shumë nga veçoritë e tij përtej zbukurimeve të përgjithshme. Në një film Hitchcock-ian vrasja kthehej në një formë arti.
Edhe pse shumë nga thrillerat Hitchcock-ian janë të përjetshëm, ekzistenca e tyre e përhershme nuk është e garantuar. Aktualisht, Instituti Britanik i Filmit po mbledh fonde për të restauruar veprat më të hershme të Hitchock-ut, duke përfshirë këtu The Lodger dhe filmin e tij të parë me zë Blackmail (Shantazhi) (1929). Rëndësia e këtyre filmave nuk qëndron vetëm në faktin se kush ka qenë regjisori. Humbja e tyre nuk nënkupton vetëm humbjen e filmave të prodhuara nga një prej regjisorëve tanë më të mëdhenj. Humbja e tyre nënkupton një humbje në trashëgiminë tonë kulturore.
Gjendja e pasigurt e filmave të vjetër kërcënimi që ato mund të shkatërrohen për tu mos u restauruar më kurrë përbën një shqetësim për të gjitha vendet. Kjo situatë bëhet dhe më e rëndësishme ndërkohë që dominimi i Hollywood-it vazhdon të rritet. Shqipëria nuk i ka shpëtuar kësaj hegjenomie kulturore. Nëse i hedhim një vështrim statistikave vjetore të kinemave, këto theksojnë ndikimin në ulje që ka prodhimi vendas. Sikurse dhe në shumicën e vendeve të tjera, filmat më popullorë amerikanë kryesojnë. Kur i pyetëm studentët e Universitetit të Arteve se cilët ishin filmat e fundit që kishin parë, ata u përgjigjën se ato ishin kryesisht filma që i përkisnin rrymës amerikane ose në gjuhën angleze.
Megjithatë, nuk duhet vetëm të sigurojmë se kinematë tona kombëtare vazhdojnë të lulëzojnë, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm se filmat nga e kaluara janë gjithashtu aty për tu zbuluar nga publiku. Gjatë vizitës sime në Shqipëri, më shoqëruan te Arkivi Kombëtar i Filmit (AQSHF). Përtej punës së guximshme të grupit të vogël të këtij arkivi, pasioni i të cilëve për trashëgiminë kinematografike është i pranishëm në përkushtimin me të cilin ata luftonin për të ruajtur mijëra filma, poza, dokumente dhe materiale prodhimi, ishte e pamundur të mos tronditej nga situata atje.
Para se dyert e të ashtuquajturës kasafortë e filmit të hapeshin, ndjeva aromën e mprehtë të uthullës, një nga shenjat e para dhe të dukshme që tregon se negativët, të cilët mbahen aty janë në një gjendje të keqe. Temperatura është një faktor kryesor në ruajtjen e filmit. Shumica e kasafortave kishin një temperaturë dhjetë gradë më të lartë sesa temperatura optimale për ruajtjen e filmit. Me kalimin e kohës kjo do të çojë në shfaqjen e mykyt dhe së fundi, shkatërrimin e plotë të filmave në arkivë, shumë prej të cilave janë kopjet e vetme ekzistuese.
Arkivimi i filmave dhe restaurimi është një proces i kushtueshëm dhe jo çdo institucion mund ta ndërmarrë. Megjithatë, e kundërta shuarja e një trashëgimie kinematografike kombëtare përbën një situata të dëshpërueshme.
Këto dy probleme reduktimi i shfaqjeve të filmave vendase dhe gjendja e titujve të arkivit janë të lidhura me njëra-tjetrën. Sa më pak që të shohë publiku prodhime vendase të kinematografisë, më shumë ata do të përballen me një praktikë, ku do ta shohin shoqërinë e tyre të reflektuar në ekran si të pazakontë dhe mbase, një përvojë shqetësuese. Gjithashtu, do të ulet edhe interesi për tju kthyer filmave më të vjetër, të cilët më parë kanë ndikuar në mënyrën se si njerëzit perceptonin botët e tyre.
Ku ka kënaqësi më të madhe sesa të shohësh se me çsy është parë mjedisi përreth nesh dikur dhe të mësosh se kultura të tjera kanë akses në historitë tona? Do të ishte një humbje e dhimbshme për publikun, që ti mohohet mundësia për të parë filmin e Kristaq Dhamos Tana (1958), filmin e Piro Milkanit Ngadhnjim mbi Vdekjen (1967) apo të Rikard Ljarjes Ferri 43 (1980). Edhe filmat e kohëve të fundit si p.sh ai i Kujtim Çashkut Kolonel Bunker (1996), filmi fitues i Fatmir Koçit Tirana Viti Zero (2002) apo i Mevlan Shanajt Lule të Kuqe, Lule të Zeza (2003), së shpejti do të ndihen të kërcënuara nëse nuk bëhen përpjekje për të siguruar, që ato do të ruhen. Prodhuesit e filmave në të ardhmen, gjithashtu mund të dekurajohen, nëse ata e ndjejnë që nuk do të ketë asnjë publik të gatshëm për të parë punën e tyre. Sa më të pasura do të ishin kinematë nëse njerëzit do të kishin mundësinë për të parë filmat e suksesshëm në gjuhën angleze dhe një përzgjedhje të filmave që shpalosin aftësinë dhe një larmi regjisorësh vendas; filma si ai më i fundit me metrazh të gjatë i regjisorit Bujar Alimani Amnesty (2011).
Ne nuk do të lejojmë që veprat e shkrimtarëve tanë më të mëdhenj të humbasin përjetë. Për më tepër nuk do të pranojmë humbjen e artit që ka përkufizuar qytetërimet tona. Ne duhet të sigurohemi se filmat e çdo kombi nuk do të humbasin. Duhet ta bëjmë këtë gjë për publikun e sotëm si dhe për kënaqësinë dhe të kuptuarit e brezave të ardhshëm.
Nga Ian Hayden Smith- *Botohet enkas nga autori për “Milosao”