Kledi Kadiu, ne Bangladesh me UNICEF

Nga Sage
Shkruar ne 12 May 2011 ora 6:32pm

Kledi Kadiu, balerini shqiptar, i shtohet listës së personave të njohur që japin kontributin në ndihmë të organizatave bamirëse. Kadiu është rreshtuar së fundmi si misionar për UNICEF.

Misionin e tij të parë do ta kryejë në Bangladesh, drejt të cilit do të marrë sot udhëtimin.Para disa vjetësh, Kadiu ka qenë dëshmitar i UNAR, Zyrës Kombëtare Kundër Racizmit. Sot jep kontributin për UNICEF, duke u bërë misionar i fushatës “Unë si Ty”. Duke qenë se e ka provuar në kurriz të tij ç’do të thotë “vështirësi”, “emigracion”, “vuajtje”, Kledi Kadiu ka rrëfyer gjithnjë me thjeshtësi rrugën e tij të vështirë, të një shqiptari në emigracion, dhe është treguar i ndjeshëm ndaj temave të solidaritetit.

Me “UNICEF Italia”, balerini shqiptar tregon se është afruar rastësisht, falë miqësisë me presidentin e saj, Vincenzo Spadafora. Për të sensibilizuar sa më shumë persona që e ndjekin në turnetë e tij nëpër Itali, shpesh në spektaklet e tij ka vënë edhe posterat e fushatave të ndryshme të UNICEF Italia apo vesh bluza me logon e organizatës. “Unë e di ç’do të thotë të jesh i huaj, ndaj e bëj me kënaqësi një fushatë të tillë”.

“Unë jam i njohur dhe i suksesshëm, e ndiej si detyrë të ofroj jo vetëm imazhin tim, por edhe ndihmë ekonomike për UNICEF-in që aq shumë bën për fëmijët në të gjithë botën”, ka thënë Kadiu. Balerini niset sot drejt Bangladeshit, ku do të qëndrojë për dhjetë ditë e do të ndihmojë në shpërndarjen e këtij mesazhi sensibilizues. Ndoshta një ditë do të bëhet edhe ambasador i UNICEF-it, ashtu si artistë të tjerë që japin kontributin me këtë organizatë.

Burimi: Gazeta Shqip