“Klithma”, monodrama e suksesshme në teatrin “Migjeni”

Nga Dinejda
Shkruar ne 18 Maj 2012 ora 5:33pm

SHKODËR- Artëdashësit shkodranë duartrokitën mbrëmë gjatë aktoren e re shkodrane, Sara Smaja, e cila përmbi një orë përcolli emocione të shumta në skenën e teatrit Migjeni në një interpretim të suksesshëm të monodramës “Klithma”.

“Për mua kjo sot ishte një artiste e vërtetë që e përjetonte, e ndjente shumë realizimin e veprave të saj, gjenitë në këtë realitet që jemi, sot po pëfundojnë kështu”, shprehet regjizorja e shfaqjes, Rigerta Nikolla. “Në një realitet kaq të ashpër, kaq të eger, ku nuk ekziston meritokracia, ai që e meriton me të vërtetë dhe ai që mundohet t’i bëjë gjërat me shpirt, nuk merr atë që duhet”, shton ajo.

“Klithma” është një shfaqje që duhet marrë në konsideratë nga shoqëria shqiptare”, shtoi regjisorja. 

Vetë Sara, personazhi kryesor i kësaj monodrame, shprehet e kënaqur me atë që arriti të përformojë në atë skenë ku prindërit e saj kanë një jetë të tërë që i përcjellin emocione publikut shkodran dhe më gjërë. “Në fakt jam lodhur shumë këto ditë, por fatmirësisht shkoi mirë dhe shoh që publiku doli i kënaqur nga salla. Kjo për mua vlen shumë dhe më nxit që të marr iniciativa të tjera edhe më të guximshme për t’ia përcjellë publikut në skenë”, theksoi aktorja e re e talentuar, Sara Smaja, një nga prurjet më dinjitoze të periudhës së fundit në tempullin e artit shkodran.