KODI I RI, GJOBË 100 MIJË LEKË MJEKËVE QË SHKELIN ETIKËN

Nga Dorjan
Shkruar ne 14 Pri 2012 ora 3:52pm

Presidenti i Urdhrit të Mjekut: Standarde të reja profesionale.

Nuk do lejohet konflikti i interesit me bluzat e bardha.

Pas 10 vjetësh, profesionistët e shëndetësisë kanë në duar Kodin e ri të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore. Sjellja e mjekut ndaj pacientëve, konfidencialiteti, sjellja e duhur profesionale, respektimi i të drejtës së pacientit për të zgjedhur mjekun, institucionin e mjekimit, si dhe për të qenë bashkëpjesëmarrës në vendimet klinike për trajtimin e tij, janë tashmë të sanksionuara në Kodin e Ri të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore. Nëse i shkelin ndaj tyre do të merren masa ndëshkuese nga gjobë që varion 1.000-100.000 lekë deri përjashtim nga Urdhri i Mjekut deri në 3 vjet. Një nen i veçantë i është kushtuar konfliktit të interesit. Bluzave të bardha nuk u lejohet të shfrytëzojnë postin e tyre për të transferuar pacientët në klinika private. “Jemi orvatur që ky Kod në dispozitat e tij të përmbajë standardet e detyrueshme për t’u aplikuar gjatë praktikës profesionale, të cilat kushtëzojnë ushtrimin e profesionit, të jetë më i detajuar e gjithëpërfshirës në problematikë, më i kuptueshëm, më i drejtpërdrejtë, por edhe më imponues e detyrues për çdo profesionist për ta respektuar dhe zbatuar në praktikën e tij”, tha presidenti i Urdhrit të Mjekut, Dine Abazaj. Sipas tij, vendosja e këtyre standardeve është themeli i rregullave mjekësore pa të cilat nuk mund të ketë cilësi në ushtrimin e profesionit dhe askush i kualifikuar apo jo, nuk mund të ushtrojë profesionin pa nevojën dhe domosdoshmërinë për të qenë i kontrolluar në veprimtarinë e tij gjatë gjithë karrierës profesionale. “Kodet e etikës, natyrisht që ndryshojnë nga njëri vend në tjetrin, por kanë të përbashkët një vlerë themelore shumë të rëndësishme, vendosjen e standardeve dhe principeve të përgjithshme të cilat udhëheqin një praktikë të mirë profesionale”,tha Abazaj. I pranishëm në prezantim ishte edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.“Kemi trashëguar dhe kemi parë ndërtimin e një raporti të egër në momente të caktuara ndërmjet mjekëve e infermierëve apo dhe pjesës tjetër të personelit mjekësor apo një publiku që besonte pak ndaj tyre, shpeshherë në mënyrë të padrejtë”, tha Vasili. Sipas tij, ky Kod në 360 gradë ezauron momentet më kyçe të raportit mjek-pacient, ndaj do të duhej të promovohej si i tillë. “Sistemit shëndetësor mund t’i mungojë një pajisje e caktuar, një bar i caktuar, por nëse i mungon baza e etikës, ky sistem nuk mund të qëndrojë. Një sistem nuk mund të funksionojë nëse nuk ka raporte etike”, tha ministri Vasili. Në përpunimin dhe azhurnimin e këtij Kodi janë konsultuar kode të ndryshme, si Kodi Ndërkombëtar i Etikës të Shoqatës Botërore të Mjekësisë, të Urdhrave (Dhomave) të Mjekëve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Spanjës, Britanisë së Madhe, Sllovenisë.

Disa nga pikat e Kodit të ri të Etikës
Ruajtja e sekretit:

Të dhënat që mjeku mëson rreth të sëmurit të tij gjatë kryerjes së detyrës,konsiderohen të fshehta mjekësore dhe përbëjnë sekret profesional. Me dëshirën e të sëmurit dhe në interes së tij mjeku është i detyruar  të mbajë të fshehtë edhe ndaj familjarëve e personave të tjerë gjithçka që i është besuar. Madje edhe pas vdekjes të të sëmurit vetëm në rastet kur fshehja e tyre përbën rrezik për shëndetin dhe jetën e të tjerëve mjeku zbulon sekretin profesional.

Mos shpejtimi i vdekjes:
Shpejtimi i përfundimit të jetës apo provokimi i vdekjes është në kundërshtim me etikën mjekësore. Nëse i sëmuri është pa vetëdije,pa shpresë për të jetuar,mjeku  duhet të veprojë sipas gjykimit të tij për më të mirën e mundshme. Ai duke u konsultuar vendos për qëndrimin terapeutik që duhet mbajtur.

Masat:
• Vërejtje me shkrim
• Vërejtje me paralajmërim
• Gjobë 1.000-100.000 lekë
• Propozim për shkarkim nga funksione drejtuese
• Përjashtim nga urdhri i Mjekut deri në 3 vjet.

Kushtëzimi i aktivitetit profesional
Mjekut në asnjë rast nuk i lejohet të abuzojë me prioritetet dhe avantazhet që i krijon statusi i tij profesional ndaj të sëmurit me qëllime përfitimi. Ai e ka të ndaluar të shfrytëzojë funksionin dhe postin e tij për të rritur klientelën apo për përfitime të tjera të kundraligshme.

Tejkalimi i kompetencave:
Mjeku,me përjashtim të urgjencave dhe rrethanave të jashtëzakonshme,nuk duhet të marrë përsipër ndjekjen e të sëmurëve,as të formulojë përshkrime që i tejkalojnë kompetencat e tij.

Gabimet e bashkëpunëtorëve:
Mjeku është i detyruar të mos heshtë dhe të mos qëndrojë indiferent përpara gabimeve që mund të bëhen nga bashkëpunëtorët.