Konferencë mbi Zhvillimin Rajonal

Nga Dinejda
Shkruar ne 23 Mar 2012 ora 9:53am

Tirane 21 Mars 2012 – Përfaqësuesit e autoriteteve lokale dhe rajonale, ministritë e linjës që punojnë në fushën e zhvillimit rajonal, Departamenti për Koordinimin e Strategjive dhe të Donatorëve, organizata ndërkombëtare, organizata të shoqërisë civile dhe akademike u mblodhën në Tiranë për të diskutuar gjendjen aktuale të zhvillimit rajonal e parë kjo nga perspektiva e tyre.

Konferenca me titull ” Diversifikimi i Zhvillimit ” kishte per qëllim të nxirrte në pah rolin e rajoneve në drejtimin e zhvillimit lokal. Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e prioriteteve identifikuese, forcën e secilit rajon, ndërtimin e iniciativës lokale si dhe mbështetjen nga qeveria qendrore dhe me gjerë.

Konferenca diskutoi gjithashtu çështje që lidhen me perspektivën e zhvillimit harmonik rajonal në Shqipëri, rëndësine e planifikimit rajonal , kontributet që partneritetet rajonale mund të japin për të mbështetur ndryshimet social-ekonomike.

Zëvendësministrja e Integrimit Europian, Znj. Grida Duma e pranishme në konferencë, mes të tjerash tha: “Ne kemi përparuar në krijimin e sistemeve për menaxhimin e decentralizuar të cilat do të lejojnë që administrata shqiptare të luaj nje rol më të madh në menaxhimin dhe zbatimin e projekteve. Ne jemi duke përfunduar këtë javë programimin e IPA 2012 dhe në javët e ardhshme do te fillojë programimi i IPA 2013.

Drejtoresha në detyrë e PNUD-it në Shqipëri, Znj Nato Alhazishvili ndërmjet të tjerash theksoi: “PNUD-i në Shqipëri i konsideron ndërhyrjet e saj ne fushën e zhvillimit rajonal dhe lokal si të rëndësishme pasi përfaqëson një nga rrugët kryesore drejt krijimit të jetëve më të fuqizuara dhe kombeve të qëndrueshme. Ne shpresojmë se konferenca e sotme do të gjenerojë një debat të frytshëm për zhvillimin rajonal në Shqipëri”.

Kjo konference është organizuar nga Ministria Shqiptare e Integrimit Europian, Departamenti për Koordinimin e Strategjive dhe të Donatorëve (DEBASKON), delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe PNUD-i në kuadër të projektit “Mbështetje e Integruar për Decentralizimin”, i financuar bashkërisht nga Bashkimi Evropian dhe PNUD-i.

Sipas këtij projekti, katër rajone të Shqipërisë, Elbasani, Dibra, Kukësi dhe Berati kanë marrë pjesë në proçeset e planifikimit strategjik dhe zhvillimit rajonal te projektit. Përfaqësuesit e këtyre rajoneve, të pranishëm në konferencë, ndanë midis tyre përfitimet dhe sfidat e ndeshura gjatë këtij procesi

Projekti është duke u zbatuar nga Ministria e Integrimit Europian, DEBASKON dhe PNUD-i në Shqipëri që nga tetor 2008. Projekti ka punuar në nivel kombëtar dhe rajonal, duke promovuar një reagim kombëtar për zhvillimin rajonal dhe përgatitjet për Kornizën e Koherencës Strategjike IPA III (Zhvillimi Rajonal).