KONFLIKTI PËR PRONËN, XHAXHAI VRET NIPIN

Nga Dorjan
Shkruar ne 16 Pri 2012 ora 5:00pm

Një vrasje brenda fisit ka tronditur rëndë fshatin Cetë të Komunës së Helmësit në rrethin e Kavajës. Konflikt ka ndodhur për pronat, i cili ka degraduar deri në përdorimin e armëve të zjarrit. Si pasojë ka humbur jetën 48-vjeçari  Behexhed Derjaj, i cili prej vitesh jetonte në qytetin e Durrësit në lagjen nr 1, pranë Shkollës Italiane 9-vjeçare “ Vincens Prendushi”.

Policia, mbas marrjes së informacionit mbi vrasjen e ndodhur, ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka konstatuar se autori i vrasjes 64-vjecari Isa Derja dhe viktima ishin në lidhje të afërt gjaku, xhaxha dhe nip, por që i kishte larguar shumë konflikti mbi pronat e përbashkëta që kishin ende të pandara.

Forcat e policisë, pas vrasjes kanë arrestuar në banesë autorin e dyshuar të vrasjes së 48-vjeçarit si dhe kanë sekuestruar armën e zjarrit automatik tip Kallashnikov, që Isaj e mbante pa lejë.

Mësohet se viktima ka shkuar në banesën e xhaxhait për të diskutuar mbi pronat dhe problemin që ata e kishin ende të pazgjidhur dhe tonet e bisedës janë ngritur në nivele të nxehta ne fyerje dhe deri në përplasje fizike. 64-vjecari, i cili e ka ndjerë veten inferior në konfliktin fizik ka marrë armën që e mbante pa lejë dhe ka qëlluar me breshëri nipin, i cili ka ndërruar jetë menjëherë.

Trupi i viktimës është dërguar në morg dhe më pas në Durrës ku edhe banonte dhe më pas rreth orës 13:00 të ditës së hënë është dërguar për t’u prehur në vendin e origjinës së tij në fshatin Cetë të Komunës së Helmësit. Çështja ndaj Isa Derjait i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të Vrasjes me dashje si dhe armëmbajtjes pa leje.