Konsorciumi universitar: Hetoni diplomat, jemi të shqetësuar.

Nga Dinejda
Shkruar ne 07 Maj 2012 ora 11:35am

TIRANE - Dekanët e 4 universiteteve prestigjioze private në Shqipëri kanë reaguar përmes një deklarate të përbashkët në lidhje me diplomën e dhënë për djalin e politikanit italian Renzo Bossi në vendin tonë.

Sipas tyre, autoritetet shqiptare duhet të hetojnë mbi këtë çështje pasi situata të tilla ndikojnë në besueshmërinë ndaj sistemit arsimor jo publik. “Ne, rektorët e universitetit “Luarasi”, Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”, Universitetit Europian të Tiranës, Tirana Business University, jemi duke ndjekur me shqetësim debatin që ka shpërthyer në median shqiptare dhe italiane mbi spekulimet e mundshme lidhur me diplomimet fiktive në universitetet shqiptare të shtetasve italianë. Duke kërkuar fort nga autoritetet shqiptare të hetojnë të gjitha këto dyshime në përputhje me legjislacionin shqiptar, ne jemi të shqetësuar për besueshmërinë e sistemit tonë të arsimit të lartë në tërësi dhe të sistemit të arsimit të lartë jopublik në tërësi. Duke njohur kontributin e paçmuar të sipërmarrjes së lirë në sektorin e arsimit të lartë privat në Shqipëri, të dhënë me sakrifica dhe pasion gjatë këtyre 10 vjetëve, që nga ligjërimi i sipërmarrjes private në arsimin e lartë, mendojmë se ka ardhur koha t’i kër-kojnë në radhë të parë autoriteteve publike të ndërmarrin veprimet e duhura për të qartësuar të gjitha dyshimet mbi këtë sektor, në secilin prej operatorëve”, shkruhet në deklaratën e përbashkët të tyre. Ndërkaq ata i bëjnë thirrje Qeverisë të kryejë të gjitha reformat dhe hapat e duhur për të rritur dhe garantuar cilësinë në sektorin e arsimit të lartë në Shqipëri, jo vetëm në atë privat por dhe në atë publik, duke garantuar standarde bashkëkohore.