KONTROLLI, HETIM GJYQTARIT TË BERATIT DHE KATËR NOTERËVE

Nga Dorjan
Shkruar ne 28 Pri 2012 ora 2:02pm

TIRANE – Ministria e Drejtësisë i kërkoi dje Këshillit të Lartë të Drejtësisë shkarkimin nga detyra të një gjyqtari të Gjykatës së Beratit. Kërkesa u bë pas dyshimeve se gjyqtari nuk ka deklaruar katër pasuri të tij. Lajmi u konfirmua nga burime zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë. “Ministria e Drejtësisë depozitoi pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë një kërkesë tjetër për procedimin disiplinor dhe marrjen e masës ‘shkarkim nga detyra’ të një gjyqtari pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat. Kjo kërkesë u paraqit pas një procesi bashkëpunimi proaktiv me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit të Pasurive, gjatë të cilit u konstatua se gjyqtari nuk ka deklaruar dhe ka pasaktësi të dukshme për 4 pasuri”, njoftoi Ministria. Burime jozyrtare bënë të ditur se bëhet fjalë për disa llogari bankare të gjyqtarit, të cilat në total kapnin shumën 1 milion lekëve. Referuar dispozitave përkatëse ligjore, shkelja e gjyqtarit konsiderohet si shkelje disiplinore shumë e rëndë që diskrediton rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit, me pasojë shkarkimin nga detyra të gjyqtarit. Rasti i gjyqtarit të Beratit është rasti i nëntë për këtë vit që Ministria e Drejtësisë i kërkon KLD-së procedim disiplinor për gjyqtarë, pas inspektimeve të kryera nga Ministria. Llojet e masave disiplinore të kërkuara kanë qenë në raport me shkeljet e kryera prej gjyqtarëve dhe variojnë nga “vërejtje” deri te “shkarkimi nga detyra”. Nëntë gjyqtarët për të cilët Ministria i ka kërkuar KLD-së procedim disiplinor ushtrojnë detyrën e tyre në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë, Elbasan, Berat, Kavajë dhe Kukës. Po dje, Ministria e Drejtësisë njoftoi se ka filluar procedimin disiplinor për shtatë përmbarues gjyqësore privatë, për shkelje në procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm. Ky veprim është ndërmarrë pas përfundimit të dy inspektimeve në 46 zyra të përmbaruesve gjyqësore privatë. Inspektimeve të Ministrisë së Drejtësisë i janë nënshtruar edhe shtatë zyra noteriale në dhomat e noterisë Tiranë, Korçë, Shkodër, Laç dhe Durrës. Në përfundim, ministri i Drejtësisë ka filluar procedimin disiplinor për 6 noterë në qytetet Tiranë, Durrës, Shkodër, Korçë dhe Lezhë.