Korçë, 10-vjeçarja lufton me vdekjen, familja apelon për ndihmë

Nga Dorjan
Shkruar ne 24 Pri 2012 ora 8:00pm

KORCE - Një 10-vjeçare në Korçë lufton me vdekjen, për shkak të një sëmundjeje të rëndë, e nisur në formën e azmës në moshën 1-vjeçare.

Rebeka Huqi nuk jeton si bashkëmoshatarët e saj. Ajo ka braktisur shkollën për shkak të anomalisë nga një mpiksje e gjakut në stomak dhe shtyllën kurrizore, që shpesh shoqërohet me gjendje të fikti. 

Nëna e vogëlushes deklaron se i vetmi shpëtim është një ndërhyrje kirurgjikale, shpenzimet e së cilës nuk mund t’i përballojë.
“Nga azma në anemi, nga anemia iu bë mpiksje gjaku. Nuk kam forcë të operoj çupën. Operacioni kushton 3600 euro. Të gjithë të venë dorë për këtë fëmijë.” – tregon mes lotësh nëna e 10-vjeçares.

Të vetmet të ardhura për 3 anëtarët e familjes Huqi janë 9 mijë lekë të reja nga kempi i të miturës, pasi të dy bashkëshortët janë të papunë. Tashmë nxënësit e shkollës ku mëson vajza janë duke kontribuar financiarisht për të siguruar ilaçet e saj.