Korcë, i shpërthen kapsolla në gurore, vdes 61-vjecari.

Nga Dinejda
Shkruar ne 16 Maj 2012 ora 6:54pm

KORCË- Një 61-vjecar ka humbur jetën në fshatin Symiz të Korcës, teksa i ka shpërthyer një kapsollë me dinamit në guroren ku punonte. Sipas policisë lokale viktima është Maksim Kodra nga fshati Kolanec i Korces, i cili ishte duke përgatitur lëndën plasëse të dinamitit 200 metra larg gurores, teksa ka ndodhur shpërthimi.

Ka qenë një tjetër punëtor, ai që e ka parë nga afër ngjarjen dhe e ka transportuar me urgjencë në spitalin e Korcës 61-vjecarin.

Por pavarësisht ndihmës mjekësore ai nuk ka mundur dot të mbijetojë për shkak të plagëve të marra në të gjithë trupin. Policia e cila mbërriti në vendin e ngjarjes, bën të ditur se ka shoqëruar 2 pronarët e gurores në Symiz, ndërsa konfirmon se gurorja ishte e licencuar. Gjithashtu policia bën me dije se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e mungesës së sigurimit teknik në punë.