Kosovë, Zbulime arkeologjike në sheshin e Pavarësisë

Nga Dorjan
Shkruar ne 30 Pri 2012 ora 3:22pm

Prishtinë – Gjetjet arkeologjike në Sheshin e Pavarësisë, “Ibrahim Rugova”, i cili po ndërtohet këtë pranverë, kishin bërë që sot, para Teatrit Kombëtar, në Prishtinë të pushojnë makineritë e ndërtuesve dhe të punojnë arkeologët. Teksa punohej me kujdes për ta zbuluar edhe më shumë një krua-çezme të gjetur dje, sot nga mesdita, vetëm disa metra më larg, shihej i sapodalë në sipërfaqe një masiv gurësh që dukej si një themel a mur i vjetër.

Për kroin, arkeologu Milot Berisha, konfirmoi për ATSH-në se, sipas studimeve të para mendohet se është mëse 500 vjet i vjetër, ndërsa për gjetjen tjetër pranë tha se, po shikojnë çfarë mund të ishte. Fillimisht, të premtën, derisa punohej me eskavatorë për ndërtimin e sheshit, punëtorët e kompanisë kishin gjetur disa pllaka të varreve, të shkruara në gjuhen turke. Sipas fotografive të Prishtinës së vjetër, afër vendit të gjetjeve ka qenë një xhami, e cila mendohet se ishte ndërtuar në shkullin XV, ndërsa ishte rrënuar pas Luftës së Dytë Botërore për ndërtime të reja. Kroi i sapozbuluar pritet të ruhet, konservohet e restaurohet për të qenë pjesë e sheshit që po ndërtohet.

Punimet për ndërtimin e Sheshit të Pavarësisë, “Ibrahim Rugova” në kryeqytetin e Kosovës, që përfshijnë edhe nivelizimin e sipërfaqes para Teatrit tek shtatorja e Gjergj Kastriotit -Skënderbeut, e cila përkohësisht është zhvendosur për t’u rikthyer e ngjitur edhe më lart në “fron” të ri, do përfundojnë në këtë verë të vitit jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.Sipas projektit, për lirimin e hapësirës së paraparë për sheshin fillimisht janë rrënuar disa objekte të vjetra, që kryesisht shfrytëzoheshin nga tregëtarët dhe zejtarët, e që nuk kishin ndonjë rëndësi trashëgimie kulturore e historike. Ndërsa, pranë sheshit pritet të rinovohet një ndërtesë që dikur ishte hotel një kohë me emrin Skënderbeu, projektuar nga një arkitekt austriak dhe ndërtuar në vitin 1927, që paraqet vlerë të arkitekturës dhe kulturës evropiane të fillimshekullit XX.