“Kukafshefti” një ekspozitë kundër diskriminimit të LGTB.

Nga Dinejda
Shkruar ne 17 Maj 2012 ora 2:08pm

TIRANË- Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Aleanca Kundër Diskriminimit, LGBT, çeli sot në Tiranë, në një mjedis pranë ish- stacionit të Trenit, ekspozitën “Kukafshehti”, e para e këtij lloji që adreson jetën dhe dashurinë e komunitetit gay, si pjesë integrale e shoqërisë shqiptare.

Në ekspozitë dokumentohen karaktere dhe aksione të këtij komuniteti, në përpjekjen e tij për të arritur ndërgjegjësimin publik.

Ekspozita e çelur një ditë para Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, synon të shfaqë komunitetin dhe lidhjen e tij të fortë me shoqërinë shqiptare në tërësi, në mënyrat e jetesës, eroticizmit dhe mendime të tyre.

Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë është një përkujtim i heqjes së homoseksualitetit prej Klasifikimit Ndërkombëtar të Sëmundjeve, bërë nga OBSH, më 17 maj 1990.

Në të gjithë botën, kjo ditë kujtohet me ekspozita, manifestime dhe evente të tjera. Aleanca Kundër Diskriminimit është një organizatë jo qeveritare, e cila parafytyron një shoqëri shqiptare të lirë, të hapur, e cila përfaqëson diversitetin dhe është gjithpërfshirëse, pavarësisht orientimit seksual dhe identitetit gjinor.
Ajo synon të mbështesë dhe fuqizojë komunitetin lezbik, gej, biseksual, transxhendër dhe rrit ndërgjegjen publike dhe edukimin mbi çështje të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.

Në çeljen e ekspozitës ishte i pranishëm edhe ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu si dhe titullarë të përfaqësive të ndryshme diplomatike në Tiranë.